Policia e Durrësit ka identifikuar dy autorët e dyshuar të vrasjes së 32-vjeçares, Luljeta Preza, e cila u gjet pa shenja jete paraditen e 2 Gushtit tek Ura e Dajlanit në Durrës.

Një ditë pas ngjarjes së rëndë tek “Ura e Dajlanit”, në lagjen nr. 13 Durrës, Policia arrestoi Aldo Brahimin dhe Ylli Grabovarin si autorë të dyshuar të krimit. Dëshmitare të krimit ishin edhe 3 vajza, shoqe të viktimës.

Katër gratë mësohet se bënin punë të ndryshme, mes të cilave edhe lypnin nëpër rrugë, ndërsa orët e natës i kalonin poshtë “Urës së Dajlanit”, një nga kryqëzimet e rrugëve më të rrahura në vendin tonë.

Natën e krimit, bazuar në rrëfimet e tri vajzave të shoqëruara, ata kishin konsumuar drogë.

Dy të arrestuarit raportohet se i kanë kërkuar Luljetës një shumë parash, rreth 2 mijë lekë. Ajo nuk i ka pasur t’ua japë e për pasojë ka nisur grindja. Me ato që kanë treguar dëshmitaret, bëhet me dije se viktima, më herët, ishte aksidentuar nga një makinë në Durrës. Ajo kishte përfunduar në spital dhe të gjitha paratë i kishte lënë për kurim, madje kishte marrë borxh edhe te dy të njohurit e saj.

Por me sa duket, natën e ngjarjes, situata ka agravuar e për pasojë ata e kanë vrarë me dy goditje thike. Aldo Brahimi dyshohet se është larguar drejt Lushnjës, ndërsa Ylli Grabovari është kthyer në Sukth. Policia i ka vënë në pranga dhe nën akuzë për vrasje me dashje, ndërsa nën hetim janë edhe tri shoqet e viktimës.

DETAJET NGA NGJARJA

Luljeta Preza dyshohet se u masakrua me thikë nga 22 vjeçari Aldo Brahimi dhe 45 vjeçari Ylli Grabovari. Ata u vendosën në pranga 1 ditë pas ngjarjes së rëndë tek “Ura e Dajlanit”, në lagjen nr. 13 Durrës.

Luljeta, 32 vjeçe, endej rrugëve pa shtëpi e pa familje. Natën e kalonte poshtë “Urës së Dajlanit” në Durrës. Rreth orës 01:00 të datës 2 gusht 2023, ajo u godit me thikë në brinjë dhe u la të vdiste në pellgun e gjakut. Autorët, si dhe tri vajza që panë krimin u larguan, ndërsa trupi i pajetë i Luljeta Prezës u gjet pas 10 orësh, rreth orës 10:35, nga kalimtarë të rastit aty dhe ku u vra.

Policia nisi hetimet dhe zbuloi se Luljeta është goditur me thika nga dy persona, pas një konflikti për motive të dobëta pasi autorët dhe viktima kishte konsumuar kokainë pikërisht poshtë “Urës së Dajlanit” në vendin ku u gjet trupi i pajetë dhe e gjithë skena është parë nga tri vajza, njëra prej tyre 15 vjeçe.

“Nga hetimet e thelluara të kryera menjëherë pas ngjarjes, rezultoi se rreth orës 01:00 të datës 02.08.2023, poshtë ‘Urës së Dajlanit’, Durrës, 32-vjeçarja është konfliktuar me shtetasit Aldo Brahimi dhe Ylli Grabovari, për motive të dobëta (pasi kanë konsumuar lëndë narkotike kokainë, së bashku me shtetaset B. S., M. M. dhe me një 15-vjeçare). Gjatë konfliktit, Aldo Brahimi dhe Ylli Grabovari, kanë goditur me mjet prerës (thikë) shtetasen Luljeta Preza, e cila si pasojë ka humbur jetën në vendin ku iu gjet trupi”, informoi sot Policia e Durrësit.