Sherri ndërmjet Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut që ka bllokuar avancimin e kësaj të fundit në BE, po transferohet edhe në Shqipëri. Sofja zyrtare, ka nisur një ofensivë diplomatike në zonat ku Shkupi i quan si pjesë të pakicës maqedonase.

Siç bën të ditur një njoftim i ambasadës bullgare në Tiranë, në Pustec ka mbërritur një nga kardiologët më të mirë bullgarë që të kryejë vizita falas për banorët, ndërkaq vijojnë investimet për ujësjellësa dhe infrastrukturë.

Njoftimi i Ambasadës bullgare

Fondacioni ‘Kujtesa bullgare’ do të sigurojë falas ekzaminime kardiologjike në rajonin e Prespës së Vogël ku ka pakicë bullgare në Shqipëri

Konsulenti kombëtar i kardiologjisë i Bullgarisë Prof. Ivo Petrov, së bashku me një ekip mjekësh nga Spitali “Acibadem City Clinic” (Sofje) do të kryejnë ekzaminime falas në Qendrën Shëndetësore në Pustec më 19 dhe 20 gusht 2023. Kushdo që dëshiron të konsultohet me kardiologun më të mirë bullgar, mund të lërë një takim paraprakisht.

Mjekët bullgarë do të kryejnë ekzaminimet së bashku me kolegët shqiptarë, duke shkëmbyer përvojë në përputhje me Marrëveshjen midis qeverive të Shqipërisë dhe Bullgarisë për bashkëpunimin në fushën e shëndetësisë.

Për vizitat do të përdoren pajisjet më moderne të spitalit “Acibadem City Clinic” në Sofje. Një nga aparatet e përdorura gjatë vizitave – një defibrilator – do t’i dhurohet më pas Qendrës Shëndetësore të Pustecit për nevojat e pacientëve vendas.

Organizatori është Dr. Milen Vrabevski dhe fondacioni i tij “Kujtesa bullgare”, kurse nisma është nën kujdesjen e ministres së jashtme bullgare znj. Maria Gabriel.

Kjo është nisma e radhës bamirëse e Dr. Vrabevskit në zonën ku jeton edhe pakica kombëtare bullgare. Në vitin 2020 ai i dhuroi bashkisë Pustec një zjarrfikëse, një ambulancë dhe një fuoristradë për patronazh social. U rinovua ujësjellësi në fshatin Tuminec, duke u mundësuar furnizimi 24 orë me ujë në dy nga nëntë fshatrat e Prespës së Madhe. Me mbështetjen financiare të Fondacionit “Kujtesa Bullgare” u blenë mobilje të reja dhe u sigurua një sallë kompjuterike në shkollën në Pustec. Prapë Dr. Vrabevski ndihmoi rekonstruksionin dhe asfaltimin e rrugës midis fshatit Vërnik dhe qytetit të Bilishtës në kuadër të programit “Ndihma për Zhvillim” të qeverisë bullgare.