Nga Fatos Cocoli/
Sa naftë ka burimi i zbuluar 6002 metra në thellësi të tokës në Pusin 5 në Shpirag?
A mund të arrijmë të kemi të ardhura 600 milionë euro në vit nga Shpiragu?
Pas 11 vitesh shpimesh dhe kërkimi të naftës në Berat dhe Permet, nga gjigandi i naftës, kompania britanike dhe hollandeze “Shell Plc.”, me vëllim punësh mbi 268 miliardë dollarë amerikanë në vitin 2022, e pranishme në 99 vende të botës dhe e renditur ndër dhjetë kompanitë më të mëdha në botë, për nga prodhimi dhe shitjet e naftës, sipas Kryeministrit Rama, në 6002 metra në thellësi të tokës, në pusin Nr. 5 në Shpirag është prekur një rezervë e madhe gazi e nafte e cilësisë më të lartë. Një specialist i vjetër i naftës i Shell në Amsterdam në Hollandë, kur analizoi një mostër me naftën e Shpiragut, deklaroi:”Për mua nafta e Shpiragut është birrë!”. Kjo, për të shprehur entuziazmin e tij për pastërtinë dhe cilësinë e lartë të kësaj nafte.
Është Shpiragu një Val D’Agri i dytë?
Lind pyetja: sa e madhe është kjo rezervë e naftës dhe gazit, e zbuluar nga Shell në tokën shqiptare mes Beratit dhe Permetit? Ende nuk e dimë. Por nga disa të dhëna paraprake, që nga katër vite më parë, mund të arrijmë në përfundimin se kjo fushë e madhe naftëmbajtëse, e zbuluar kaq thellë në Shpirag, mund të na e gjashtëfishojë prodhimin e sotem të naftës, që e kemi 20 mijë fuçi naftë në ditë.
Po pse? Në njoftimin për shtyp të 24 majit 20219, kompania Shell cilëson se “Zbulimi i Shpiragut, në një rezervuar karbonatik të frakturuar, është në një strukturë gjeologjike të njëjtë me fushat e mëdha të Val D’Agrit dhe Tempa Rossas në Itali”( https://www.shell.al/media/2019/shell-confirms-potential-of-significant-oil-discovery-in-albania.html)
Si Shell, ashtu edhe paraardhësja e saj, kompania Petromanas, theksojnë në raportet e tyre se formacioni gjeologjik i Shpiragut është “ekuivalent(i barazvlefshëm)” me zonën naftëmbajtëse të Val D’Agrit në Itali.
Val D’Agri gjendet në zonën e Salernos në Italinë e Jugut dhe është zbuluar në vitin 1989. Zona naftëmbajtëse e Val D’Agrit u vu në shfrytëzim në vitin 1996 dhe vijon prodhimin. Aktualisht prodhon 100 mijë fuçi nafte në ditë në 24 puse.
Nëse Shpiragu në Shqipëri është i tillë, kompania shfrytëzuese do të ketë të ardhura rreth 9.2 milionë dollarë në ditë dhe mbi 3. 3 miliardë dollarë në vit, me çmimet aktuale të naftës. Të ardhurat në buxhetin tonë të shtetit mund të shkojnë mbi 600 milionë euro në vit. Prej ketej premtimi i Kryeministrit Rama per t’ua rritur pensionin pensionisteveShqipëria prodhon aktualisht rreth 20 mijë fuçi në ditë dhe nëse nafta e thellë e Shpiragut ka kosto prodhimi të përballueshme për Shell, prodhimi i vendit do të gjashtëfishohet.
Shell dhe Shqipëria
Nje nga dhjete kompanite me te medha te naftes ne bote, kompania Shell hyri në Shqipëri në vitin 2012. Shell u bë partner në projekt në kete vit dhe tani ka 100% të kapitalit neto në lejet e shfrytezimit te Blloqeve 2, 3 dhe 4 ne zonen qe nga Berati dhe deri ne Permet. Sipërfaqja e kombinuar e Blloqeve 2, 3 dhe 4 është 4,084 km2.
Shell ka në pronësi të saj vendburime pusesh nafte kudo në botë, në nivele të 11.1 miliardë fuçive naftë. Ajo di ku kërkon naftë. Vetë kompania në puset e saj prodhon 3.7 milionë fuçi nafte në ditë dhe ka 44 mijë pika të shitjes me pakicë të naftës dhe gazit në të gjithë botën.
Katër vite më parë, në maj 2019, Shell zbuloi një zonë të rëndësishme naftëmbajtëse dhe gazmbajtëse në 800 metra thellësi, në Pusin Shpiragu-4. Shell vepron në një terren prej tre blloqesh kërkimi, në një total prej 4 mijë kilometrash katrore në Berat, në malin e Shpiragut.
Zbulimi i naftës në sasi premtuese në Shpirag, i pari pas afro 30 vitesh mungesë zbulimi pusesh nafte në tokë në Shqipëri, ishte i rëndësishëm edhe për kompaninë gjigande të naftës. Marc Gerrits, Zëvendës/President Ekzekutiv i Kërkimeve të Naftës në Shell, deklaroi se “Ne jemi të kënaqur që këto teste fillestare kanë konfirmuar potencialin e këtij zbulimi dhe presim me padurim rritjen e biznesit tonë në Shqipëri”.
Historiku i trishtë e arit të zi në Shqipëri
Në vitin 1975 prodhonim 2 milionë e një çerek tonë naftë, por e shisnim lirë, në tregtinë me klering(po të jap naftë ty borgjez i ndyrë perëndimor, të të marr makineri). Në vitin 2006, ia dhamë naftën tonë për ta shfrytëzuar një kompanie të huaj, të cilës ende edhe sot nuk ia dimë se kush janë pronarët, ngaqë ishte e rregjistruar në parajsat fiskale.
Në vitet me çmimin më të lartë të naftës në tregun botëror, vitet 2011-2014, kompania e huaj, edhe pse shfrytëzonte mbi 89 përqind të naftës sonë, fushën naftëmbajtëse Patos-Marinzë, dorëzonte në tatimet tona bilance ku dilte gjithnjë me humbje, për të shmangur pagesën 50 përqind të fitimit tek shteti shqiptar, në rast se do të dilte me fitim.
Në vitin 2012 hyri tek ne gjigandi Shell. Standardet e tij botërore të transparencës na garantojnë që nuk do të ketë më lojra me shpenzime të fryra, për të fshehur fitimin, nëse kompania vendos të nisë shfrytëzimin industrial te Shpiragut për prodhimin e naftes.
Do gjashtëfishohet prodhimi i naftës tek ne?
Nëse brezi i naftës është i rëndësishëm edhe për vetë Evropën e kufizimeve dhe sanksioneve të naftës dhe gazit rus, i bie që nafta që do të nxirret industrialisht në Shpirag(nëse Shell do të vendosë kështu), të jetë të paktën dy herë më e madhë në sasi, nga nafta e zonës naftëmbajtëse Marinzë-Patos apo e Kuçovës, të zbuluar që në vitin e largët 1927, nga kompania italiane Agip dhe pionieri i naftës shqiptare, gjeologu martir polak Stanislav Zuber, i vrarë në burgjet e komunizmit.