Shqipëria i është bashkuar zyrtarisht sanksioneve të Bashkimit Evropian për Bjellorusinë, pasi kjo e fundit ka qenë e përfshirë në mbështetje të Moskës gjatë kohës pas fillimit të agresionit rus në Ukrainë, me nisje më 24 shkurt 2022.
Sipas njoftimit zyrtar nga Këshilli i Evropës, janë pesë shtete (mes të cilave Shqipëria), të cilat i janë bashkuar sanksioneve. Katër të tjerat janë Maqedonia e Veriut, Bosnjë dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Ukraina. Po ashtu, edhe vende si Islanda, Liechtensteini apo Norvegjia janë bërë bashkë në këtë listë sanksionesh.

Ajo fillimisht është bërë publike më 3 gusht 2023 dhe në të përfshihen 38 individë dhe tre kompani bjelloruse, të cilat shihen si të afërta me presidentin rus, Vladimir Putin. “Duke pasur parasysh peshën e situatës në Bjellorusi dhe përfshirjen e saj në agresionin rus kundër Ukrainës, 38 individë dhe tre subjekte, duhet të përfshihen në listën e personave fizikë dhe juridikë, subjekteve dhe organeve që i nënshtrohen masave kufizuese”, shkruhet në njoftimin zyrtar nga Komisioni Evropian, sa i takon këtyre sanksioneve.

Një muaj më parë, Shqipëria iu bashkua po ashtu paketës së 11-ë të sanksioneve evropiane kundër Rusisë, së bashku me disa vende të tjera të rajonit dhe vende të cilat nuk janë anëtare në Bashkimin Evropian. Lajmi është bërë i ditur nga vetë Këshilli i Evropës, përmes një publikimi në faqen e tyre zyrtare. Në të, theksohet angazhimi i Shqipërisë, së bashku me vende si Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnjë dhe Hercegovina, apo Ukraina, të cilat e linjëzojnë politikën me atë të unionit.

Kjo, sipas strukturave evropiane, do të sigurojë se politikat kombëtare të këtyre vendeve, do të jenë në përputhje me gjithë qëndrimet dhe vendimet e KiE-së. Ndaj, përkushtimi për këtë linjëzim është përshëndetur nga radhët e Bashkimit Evropian. Po ashtu, në sanksionimin e mëtejshëm të Rusisë, janë bashkuar edhe Islanda, Liechtensteini dhe Norvegjia. Paketa e 11-ë, merr një sërë masash sa i takon atyre tregtare, transportit, energjetikës, apo çështjeve të tjera si ato mediatike dhe të sigurisë kombëtare.

Pesë media të tjera ruse janë sanksionuar nga unioni, ndërkohë që i ngrihen asetet edhe 100 individëve të tjerë, të cilët mendohet se kanë lidhje me regjimin e Vladimir Putinit. Prej nisjes së luftës në Ukrainë më 24 shkurt 2022, marrja e sanksioneve ndaj Rusisë është parë si një ndër metodat më të frytshme për të ndalur agresionin ndaj Kievit. Pavarësisht se diçka e tillë nuk është arritur, ka pasur shenja të frenimit të pushtimit rus dhe është vënë re gjithashtu një mungesë e financimit të Moskës në këtë fushatë të ndërmarrë, me pak vende aleate të mbetura pranë Kremlinit.

Shqipëria ka qenë ndërkaq ndër të parat vende, që e ka mbështetur plotësisht fushatën e sanksioneve evropiane ndaj Rusisë dhe i ka aplikuar vetë të gjitha paketat e paraqitura.