Qytetarët shqiptarë përfituan gjatë vitit 2022 numrin më të madh të lejeqëndrimeve, në dhjetë vitet e fundit, në vendet e Bashkimit Europian.
Sipas raportit të Agencisë Europiane të Statistikave, EUROSTAT, publikuar të premten, 73858 lejeqëndrimi u dhanë për shqiptarët nga vendet e Bashkimit Europian në vitin 2022.
Sipas EUROSTAT ky numër i lejeqëndrimeve është dukshëm më i lartë se vitet e tjera ku gjatë vitit 2021 ishin dhënë 55085 lejeqëndrimi për shtetasit shqiptarë dhe në vitin 2020 ishin dhënë 38240 leje qëndrimi.
Sipas statistikave europiane rreth 537 mijë shtetas shqiptarë kanë përfituar lejqendrimi në vendet e Bashkimit Europian në dhjetë vitet e fundit (2012-2022). Kjo prirje e lartë e shqiptarëve për të emigruar dhe punuar jashtë vendit ka sjellë në tregun shqiptar mungesë të fuqisë punëtore në shumë zona.
Italia kryeson ndër vendet që lëshuan më shumë lejeqëndrimi për shtetasit shqiptarë me 34864 leje të lëshuara dhe më pas vijon Greqia me 14313 lejeqëndrimi, ndërsa një prirje e re me rritje të dukshme është Gjermania ku gjatë vitit 2022 u pajisën me lejeqëndrimi 13334 shtetas shqiptarë nga 4492 që ishin pajisur përgjatë vitit 2021.
Pas këtyre vendeve për numrin e lejeqëndrimeve të lëshuara për shtetasit shqiptarë renditet Franca me 2455 lejeqëndrimi dhe Malta që shënon një prirje të re të shqiptarëve për t’u punësuar me 2009 lejeqëndrimi për vitin 2022 nga 1142 që kishte në vitin 2021.
Numri më i madh i lejeqëndrimeve të lëshuara si për shettasit shqipatre edhe të huajt e tjerë sipas statistikave europiane lidhet me punësimin.
Ndërsa vendet e Bashkimit Europian lëshuan në vitin 2022 rreth 3.7 milionë lejeqëndrimi për shtetasit jashtë vendeve të Bashkimit Europian, me një rritje prej 26% krahasuar me vitin 2021, rreth 1.6 milionë lejeqendrimi ishin dhënë për punësim”.