Në gjysmën e parë të vitit 2023 në Gjermani u numëruan tri herë më shumë tubime dhe demonstrata të ekstremistëve të djathtë sesa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Numri i demonstratave të organizuara nga skena neo-naziste u rrit nga 35 në 110, thuhet në një raport të Ministrisë së Brendshme të Gjermanisë.
Një nga arsyet është sipas raportit debati për numrin në rritje të refugjatëve. Po ashtu edhe fundi i pandemisë së koronës, e cila kishte penguar për dy vjet organizimin e tubimeve të mëdha, me sa duket po i jep një shtysë skenës ekstremiste.
Numri i koncerteve të rock-ut me motive të djathta ka rënë
Nga ana tjetër sipas raportit numri i koncerteve të rock-ut me motive ekstremiste të djathta ka shënuar një rënie të lehtë duke rënë nga 89 në 71 në gjysmën e parë të vitit 2023 në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas shifrave të Ministrisë Federale të Punëve të Brendshme në periudhën prill-qershor u zhvilluan 35 koncerte të tilla.
Deputetja e partisë E Majta, Petra Pau, u shpreh e shqetësuar se “një vit pas pandemisë, fuqia mobilizuese e së djathtës ekstreme po rritet përsëri jashtëzakonisht”.
Shumica e demostratave ishin protesta kundër strehimoreve për refugjatët. Pau tha se “të gjithë kemi për detyrë të parandalojmë që qëndrimi jashtëzakonisht armiqësor ndaj refugjatëve të shkojë në nivele të ngjashme me ato të fillimit të viteve 1990 dhe 2015.”Numri më i madh i demonstratave dhe tubimeve të ekstremistëve të djathtë u regjistrua në vitin 2015, me 590 të tilla. Pas këtij viti tendenca ka qenë në rënie. /DW