Të shtata vatrat e zjarrit që ditën e djeshme përfshinë zona të ndryshme të vendit, janë shuar dhe aktualisht nuk ka mbetur asnjë vatër aktive në vend, pavarësisht temperaturave të larta.
Në një shënim në mediat sociale, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ka njoftuar për përfundimin e operacioneve të zjarrfikësve në dy vatrat e fundit aktive që kishin mbetur në vend, gjatë ditëve të fundit.
“Të shtata vatrat e zjarrit që ditën e djeshme përfshinë zona të ndryshme të vendit janë shuar dhe aktualisht nuk kemi asnjë vatër aktive në vend, pavarësisht temperaturave të larta. Në fshatin Krastë, në bashkinë e Krujës, të gjitha vatrat që ishin aktive janë shuar. Puna intensive dhe angazhimi maksimal bëri të mundur shuarjen përfundimtare të flakëve edhe në vendgrumbullimin e mbetjeve urbane, në Elbasan. Situata po monitorohet nga forcat e zjarrfikëses së bashkisë së këtij qyteti. Të gjithë strukturat e mbrojtjes civile në nivel vendor dhe qendror mbeten në gatishmëri të plotë”, ka shkruar Peleshi.