Rreth 100 punonjës dhe 15 mjete zjarrfikëse u angazhuan për fikjen e zjarrit në landfillin pranë inceneratorit të Elbasanit, zjarr i cili u shfaq rreth orës 17:45 të së shtunës dhe mori përmasa të mëdha I ndihmuar nga era e fortë dhe temperaturat e larta.

Pas rreth 4-5 orë luftë me flakët, forcat e ushtrisë dhe efektivë zjarrfikës të Elbasanit, Tiranës, Durrësit, Belshit, Gramshit, Cërrikut e Peqinit arritën të vënë nën kontroll flakët.

“Kur kemi ardhur këtu frynte një erë meqë objekti është buzë lumit Shkumbin. Ishte një erë që e favorizonte shumë, edhe thatësira e madhe, temperaturat bëjnë të vetën dhe kjo ishte e mënjëhershme”, shprehet shefi i Shërbimit Zjarrfikës Elbasan, Tajar Alla.

Specialistë gjykojnë se zjarri mund të jetë shkaktuar nga materiale të djegshme, që janë ndodhur në landfill të cilat kanë marrë flakë nga temperaturat e larta.

“Shkaku kryesor për mendimin tim janë proceset fiziko-kimike si dhe lëndët organike, procesi biologjik i tyre që me kalimin e kohës nxehen dhe shpërthejnë në zjarr”, tha Tajar Alla.

Por nuk përjashtohet mundësia e një zjarrvënie të qëllimshme, për të cilën organet kompetente janë duke hetuar, ndërsa me urdhër të Ministrit të Brendshëm Taulant Balla impianti i Elbasanit po ruhet nga policia e shtetit dhe ajo bashkiake.

Gjithashtu ekipet e zjarrfikëseve të Elbasanit vazhdojnë të qëndrojnë në landfill për t’i paraprirë çdo riaktivizimi të mundshëm të vatrës, ndërsa e gjithë sipërfaqja po mbulohet me materiale inerte për të minimizuar çdo mundësi rishfaqje të zjarrit.