Pavarësisht kontrolleve të shtuara në të gjithë vijën bregdetare, policia ende vijon të konstatojë raste shkeljesh nga mjete të ndryshme lundruese. Së fundmi nga Shëngjini në Kavajë, u bllokuan 4 Jet Ski, 1 skaf dhe 1 gomone.
Nga monitorimi i vazhdueshëm i vijës bregdetare, Policia Kufitare Durrës, ka bllokuar në Shëngjin, Spille dhe Durrës, 6 mjete lundruese, të cilat u konstatuan në paligjshmëri të ndryshme.
Konkretisht 4 Jet Ski u bllokuan pasi u konstatuan me mungesë dokumentacioni. Secili prej drejtuesve të tyre u ndëshkua me masë administrative 10 mijë lekë.
Ndërsa 1 skaf dhe 1 gomone u bllokuan pasi drejtuesit e tyre kishin tejkaluar afatin që parashikon ligji, për regjistrimin e pronësisë mbi mjetin lundrues. Secili nga këta shtetas u ndëshkua me masë administrative 20 mijë lekë.
Policia Kufitare e Durrës apelon për të gjithë përdoruesit e mjeteve lundruese, që të zbatojnë rregullat për përdorimin e mjeteve lundruese dhe të respektojnë zonat e përcaktuara për lundrim me këto mjete, me qëllim që ata dhe pushuesit e tjerë të jenë të sigurtë dhe të qetë.
Gjithashtu, fton qytetarët që për çdo rast të shkeljes së perimetrit të sigurisë dhe të përdorimit të mjeteve lundruese në mënyrë të parregullt, të denoncojnë në numrin pa pagesë 112.