Rey Manaj pranë rikthimit në Serie A. Sezoni i fundit ishte për t’u harruar për ish-sulmuesin e Interit dhe Barcelonës. Lushnjari zhvilloi vetëm gjashtë ndeshje me Watfordin në Championship, duke shënuar një gol. Problemet fizike nuk e lejuan Manajn të shfaqte aftësitë e tij në ishull. Dhe prej muajit shkurt qëndron pa skuadër. Ndërkohë, Frosinone, klubi i rikthyer në elitën e futbollit italian, po tenton të arrijë një akord me 26-vjeçarin.

Nëse arrihet marrëveshja, Frosinone do të kthehej në ekipin e gjashtë italian në karrierën e Manajt. I cili më parë ka luajtur me Cremonese, Interin, Pescarën, Pisën dhe Spezian. Teksa numëron 30 ndeshje dhe 6 gola me kombëtaren e Shqipërisë. Klubi lacial ka siguruar këtë merkato edhe shërbimet e Marvin Çunit, një tjetër sulmues shqiptar. 22-vjeçari erdhi nga ekipi i dytë i Bayern Munchen.