Qazim Mulleti i vërtetë, jo personazhi në komedinë “Prefekti” sipas artit të diktaturës, është një personazh i pazakontë në historinë e qytetit të Tiranës. Kryetar bashkie i Tiranës nga viti 1939 deri në vitin 1940 dhe prefekt i saj nga 1942-1944. Ai nuk ishte vegël e italianëve, apo zyrtari qesharak që drejtonte Tiranën në atë kohë sipas komedisë. Qazim Mulleti i vërtetë lindi në lagjen “Sulejman Pasha” në Tiranë, më 20 dhjetor 1893. Prefekt i Tiranës gjatë pushtimit fashist, studimet e para i kreu në Manastir, gjimnazin në Janinë kurse studimet e larta në kolegjin perandorak “Gallata Saraj” të Stambollit, me medalje ari.

Ai ishte poliglot. Dinte turqisht, osmanissht, arabisht, gjermanisht, frëngjisht, italisht, latinisht, serbokroatisht dhe greqisht. Hobi i tij ishte hipizmi, koleksionimi i suvenireve, – ku në shtëpinë e vet, një kat e kishte shndërruar në muzeum të posaçëm, – si dhe patinazhi në akull. Në 1912-ën, bashkë me shumë studentë të tjerë shqiptarë merr pjesë në ngritjen e flamurit në Tiranë dhe Vlorë. Në 1914-ën është një ndër katër adjutantët e Princ Vidit. Largohen së bashku në Vjenë, ku jetoi aty deri në vitin 1920, dhe mbulonte rajonin e Ballkanit.

Në vitin 1920 merr pjesë në Kongresin e Lushnjës. Qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjës u pengua të hynte në Durrës, ku kishte destinacionin për të ushtruar funksionet e saj, pasi Kongresi e kishte zgjedhur Kryeqytet. Me ndërhyrjen e dajës së Qazimit, Mytesim Këlliçit, Abdi Toptanit dhe Qazim Mulletit, qeveria u vendos provizorisht në Tiranë. Shumë patriotë të Tiranës hapën shtëpitë e tyre në dispozicion të qeverisë së re. Një shtëpi e Mulletëve u bë Ministria e parë e Bujqësisë. Më vonë Qazimi mbron dhe argumenton pse Tirana duhet të ishte Kryeqytet i Shqipërisë, de jure në vitin 1925. Në shtator të 1920, është Komandant i Forcave Vullnetare kundër Serbisë. Më 25 Prill – 3 maj 1921, ai merr pjesë në Kongresin për Bashkimin Kombëtar në Vlorë, si përfaqësues i Tiranës. Në Qeverinë e Sulejman Delvinës dhe Fan Nolit, pati një detyrë të rëndësishme, si prefekt në Dibër. Mbas dështimit të Revolucionit largohet nga Shqipëria.

Në fillim vendoset në Zara të Jugosllavisë, ndërsa më vonë në Vjenë, ku ndenji si emigrant politik deri në vitin 1931. Kur ishte në Vjenë, pikërisht në vitin 1929, ai martohet me Hajrie Kusin, me të cilën pati vetëm një djalë. Reshiti, bashkë me të ëmën, Hajrien, vuajtën për 45 vjet në kampet e përqendrimit të Tepelenës, Savrës, Gradishtit, Porto Palermos, etj. Zj.Hajrie vdiq në 1980, në kampin e përqendrimit në Savër. Qazimi kishte vdekur shumë më përpara në moshën 62 -vjeçare, më 28 gusht të vitit 1956, afër Romës ku jetoi si emigrant politik. Nga Qeveria Demokratike e Shqipërisë, në vitin 1945 i është kërkuar shteteve të mëdha të koalicionit antifashist anglo-sovjeto-amerikan, që ky person të gjendej dhe të gjykohej për krime.