Fshatra të izoluar nga bota përreth, ushqimet shpërndahen me helikopterë. Sllovenia po lufton për të përballuar katastrofën e permbytjeve.
Gjendja në Slloveni pas rreshjeve të pasuara nga vërshime të jashtëzakonshme është mjaft dramatike. Ky vend po përjeton përbytje dhe rrëshqitje toke si asnjëherë më parë që prej 30 vjetësh. Disa zona kanë mbetur tërësisht të izoluara. Njerëzit po furnizohen me helikopeterë me ushqime dhe ujë të pijshëm. Ushtarët pjesërisht po përpiqen të depërtojnë në këmbë në zonat e izoluara nga masa e ujit.
Policia në Slloveni po heton për katër raste vdekjeje, nëse ato kanë të bëjnë me vërshimet. Në bregun e lumit Save të dalë nga shtrati në kryeqytetin Lubjanë të shtunën (05.08.2023) u gjet trupi i një burri të pajetë. Dy viktima të tjera janë turistë alpinë nga Holanda, që me gjasë janë goditur nga rrufeja gjatë endjes nëpër male. Pesë holandezë të tjerë konsiderohen deri tani të humbur në Slloveni.
Kryeministri Golob bën fjalë për dëme të jashtëzakonshme
Kryeministri Robert Golob tha, se vendi po vuan “dëmet ndoshta më të mëdha nga një katastrofë natyrore në hisotrinë 30 vjeçare të pavarësisë së Sllovenisë (1991)”. Volumi financiar i dëmeve të shkaktuara llogaritet në mbi 500 milionë euro, sipas tij. Janë dëmtuar rrugë dhe infrastruktura energjetike, po ashtu qindra ndërtesa banimi janë dëmtuar ose shkatërruar tërësisht.
Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen siguroi Slloveninë për ndihma. Dëmet e shkaktuara “të copëtojnë zemrën”, shkruan në tëitter ajo. Komisari i BE-së për Ndihmat Humanitare dhe Mbrojtjen nga Krizat, Janez Lenarcic, do të konsultohet me qeverinë në Lubjanë.
Gjendja në Dravograd mjaft e rëndë
Në Dravograd afër kufirit me Austrinë për shkak të rrëshqitjes së tokës u desh të evakuoheshin 110 vetë, ndër ta 30 turistë. Në këtë zonë rrezikonte edhe një tjetër rrëshqitje toke. Kjo zonë ndodhet në rrjedhën e tre lumejve Drau, Meze dhe Mislinje. Kryetari i bashkisë Anton Preksavec u shpreh për një “Apokalips të vërtetë me përmasa biblike”.
Reshjet e furishme në shumë zona kanë krijuar gjendje dramatike.
Në kryeqytetin Lubjanë dhe në Maribor e në Celje autoriteti i mjedisit ka shpallur gjendjen e alarmit. Ushtria ka mbështetur forcat e emergjencës, të zjarrëfikësit dhe të policisë në aksionet e shpëtimit. “Gjendja është serioze”, tha ministri i Mbrojtjes Marjan Sarec. Kryeministri Robert Golob ndërpreu pushimet e verës dhe organizoi (05.08.2023) një mbledhje krize.Një autostradë u bllokua për shkak të vërshimeve, ura dhe shtëpi janë shkatërruar. Në rreth 16.000 shtëpi u ndërpre energjia.
E prekur edhe Austria
Në jug të Austrisë është njoftuar për vërshime. Në landet Kernten dhe Shteiermark banorëve iu bë thirrje mundësisht të largohen nga shtëpitë. Në zonat përreth Eisenkappel dhe Klagenfurt disa fshatra janë izoluar prej vërshimeve. I prekur rëndë është rajoni Voelkermarkt në Kernten.
Sipas të dhënave të klubit të automobilëve të Austrisë ÖAMTC disa pikëkalime kufitare mes Austrisë dhe Sllovenisë janë bllokuar prej vërshimeve dhe rrëshqitjeve të tokës, ndër to pikëkalimi Loiblpass, ku një natë më parë ka pasur reshje të fuqishme me gati 200 litra për metër katror. Ndërkohë edhe Kroacia mund të përballet me një valë vërshimesh./DW