Ditën e sotme zhvillohet në Tiranë rivarrimi i eshtrave të Qazim Mulletit, pas kthimit të tyre në Shqipëri javën që kaloi.
Nga ora 09.00 deri në 12.30 zhvillohen homazhe në shtëpinë funerale Alba 2000 ku bëri homazhe edhe kreu i PD-së, Lulzim Basha.
Kryedemokrati pasi bëri një mea kulpa, premtoi se do të hedhë dritë mbi figurat e persekutuara nga komunizmi.
“Shpreh vlerësimin për organizatorët që bënë të mundur këtë, por edhe të shpreh ndjesën e thellë të PD që në këtë rast dhe në raste të tjera ne nuk mundën ti qëndrojmë fjalëve dhe pozicioneve tona politike për nderimin e atyre figurave politike që i dhanë kaq shumë kombit por u denigruan dhe mbetën në errësirën e krijuar me kast nga regjimi komunist. Nuk është kurrë vonë të korrigjosh gabim. Prania ime dhe e dy zonjave anëtarë të është shenjë e qartë e kësaj pendese dhe këtij korrigjimi. Angazhimi ynë është që historia të tregohet me objektivitet e jo të trashëgohet nga arkivat e propagandës komuniste”
Më pas, në 13.00 në xhaminë e Kokonozit tek Pazari i Ri, do të zhvillohen ritet fetare.
Ceremonia e varrimit do të zhvillohet në orën 14.00 në varrezat e Shish-Tufinës.
Qazim Mulleti ndërroi jetë në moshën 63-vjeçare në Romë ndërsa gjatë aktivitetit të tij ai ka qenë kryetar bashkie në Tiranë në vitet 1939-1940 dhe prefekt i kryeqytetit në vitet 1942-1944. Gjatë regjimit komunist ai u largua si emigrant politik në Itali ku edhe u varros pas vdekjes atje.
Në Shqipëri figura e Qazim Mulletit ka nxitur debate dhe interpretime të ndryshme për rolin dhe aktivitetin e tij.