Pensionistët, personat me ndihmeë ekonomike si dhe invalidët do të përjashtohen nga taksa e pasurisë së paluajtshme. Lavdrim Sahitaj, kreu i drejtorisë së përgjithshme të taksës dhe pasurisë në Ministrinë Financave shpjegon draftin i cili tashmë është hedhur në konsultim dhe kush përfiton.

“Kemi përjashtuar pensionistët, invalidët, ata që marrin ndihmë ekonomike, kemi përjashtuar nga taksa disa hotele që kanë brand turistike, kemi përjashtuar parcelat bujqësore, të cilat për pesë vitet e para nuk do të tatohen””, tha ai. Qytetarët dhe bizneset do të paguajnë taksën e pasurive të paluajtshme duke iu përafruar çmimit te tregut por taksa do të aplikohet sipas kategorive .Për banesat parashikohet që të aplikohet një taksë që varion nga 0.1% deri në 0.2% të vlerës.

“Për banesat është parashikuar, ende jemi në diskutim, por propozimi është që të jemi në masë 1.0-0.2 % dhe për parcelat që janë për funksion tregtar të jenë nga 0.15-0.3% dhe për parcelat që janë prona bujqësore të jenë në njësinë 0.1-0.3 %”, tha ai.
Taksa e pronës për apartamentin e dytë parashikohet të jetë deri në dyfish më e lartë, ndërsa për banesën e parë parashikohet një zbritje deri në 50% të vlerës së banesës, por në çdo rast, jo më shumë se pragu maksimal i zbritjes.

“Për banesën e parë të gjithë qytetarët do kenë një bonus zbritje deri në 50% të vlerës së taksueshme të vlerës së pasurisë. I kemi të ndarë kategoritë sipas rretheve”, theksoi Sahitaj. Këto ndryshime parashikohen të hyjnë në fuqi në vitin 2026.