Spanja ka hapur një hetim paraprak ndaj presidentit të Federatës së Futbollit, Luis Rubiales, pasi ai puthi në buzë lojtaren Jenni Hermoso. Prokurorët janë duke hetuar nëse bëhet fjalë për abuzim seksual. E gjitha erdhi pas deklaratës së Hermoso-s se ajo puthje nuk ishte në mënyrë konsensuale. Prokuroria dyshon se Rubiales mund të ketë abuzuar seksualisht me lojtaret e kombëtares spanjolle të femrave.

Ndërkohë, nëna e kreut të Federatës Spanjolle, Angeles Bejar është futur në grevë. Bejar është mbyllur në kishën Divina Pastora në Motril në bregdetin jugor spanjoll, qyteti ku u rrit djali i saj dhe ka thënë se do të vazhdojë deri sa të përfundojë “gjuetia çnjerëzore” kundër të birit.

Luis Rubiales ka refuzuar që të japë dorëheqjen duke thënë se ai ka punuar shumë për këtë Federatë, duke e cilësuar puthjen si një shpërthim të emocioneve. Madje, ai ka thënë se ai veprim nuk ka asnjë peshë, është njësoj si një puthje për vajzën e tij.