Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pranuar se masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian të vendosura ndaj Kosovës pas mos-gatishmërisë së Qeverisë për të de-përshkallëzuar situatën në Veri të vendit sipas kërkesave të komuniteti ndërkombëtar po e dëmtojnë Kosovën në aspektin socio-ekonomik.

Në një intervistë për prestigjiozen amerikane, Bloomberg, gjatë qëndrimit në Slloveni në kuadër të forumit Strategjik të Bled-it, Kurti ka theksuar se masat shtrënguese të Unionit “po e dëmtojnë vendin në aspektin e mbështetjes financiare” të cilat i alokohen Kosovës në form të granteve dhe kredive nga BE-ja.

“Masat po dëmtojnë agjencitë tona shtetërore dhe komunitetin tonë të biznesit”, ka thënë Kurti në një intervistë për Bloomberg.

Shefi i Qeverisë në po këtë intervistë ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të normalizojnë raportet, para se aleatët të nisin të merren me zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në BE.

“Ekziston një ndjenjë urgjence për ta implementuar marrëveshjen dhe që të normalizohen raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër, më së voni deri në pranverën e vitit të ardhshëm”.

Sipas tij kthimi në Marrëveshjen e Brukselit/Ohrit e miratuar nga Kosova dhe Serbi në shkurt dhe në mars të këtij viti është e vetmja rrugë përpara.

“Marrëveshja është ende në tavolinë”, ka potencuar ai.

Kurti ndër të tjera i ka thënë Bloomberg se SHBA-të dhe BE-ja po dëshirojnë të ndihmojnë dhe mbështesin Kosovën, paçka të njëjtit gjithashtu duan ta largojnë Serbinë nga ndikimi rus.

Ndryshe bllokimin e disa projekteve në Kosovë për shkak të masave të BE-së kishin kumtuar në një intervistë për Klan Kosova ambasadori i Francës dhe ai i Gjermanisë në Kosovë muaj më parë.

Më 29 qershor, një ditë pas kumtimit të lajmit për vendosjen e masave ndëshkuese nga ana e Unionit, Kosova supozohej të pranonte një grant nga BE-ja përmes së cilit do të financohej projekti i zhvilluar nga Franca për ndërtimin e një impianti për ujërat e zeza në Prishtinë dhe komunat përreth.

Kështu të paktën bëri të ditur ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, duke shtuar se projekti në fjalë, i cili në këtë fazë është pezulluar, po mbështetej edhe nga shteti gjerman, pasi kjo e fundit do t’i ndërtonte gypat që do të dërgonin ujërat e zeza në këtë impiant.

“Projekti nuk është duke u diskutuar, pra granti nuk është aprovuar dhe më vjen shumë keq për këtë. Është bërë shumë punë për këtë projekt nga Franca në bashkëpunim me qeverinë aktuale të Kosovës dhe gjithashtu me qeveritë e kaluara për qytetarët e Kosovës.

Mezi po pres momentin kur mund të vazhdojmë këtë projekt. Realizimi i këtij projekti shumë konkret do të kishte pasur ndikim pozitiv në kualitetin e jetës së qytetarëve, në kualitetin e ambientit. Ky projekt është shtyrë dhe më vjen shumë keq për këtë”, tha ai.

Qeveria e Kosovës, po të mos sanksionohej, do të përfitonte edhe nga projektet e shtetit gjerman që lidhen me energjinë e ripërtëritshme.

Megjithatë si Franca ashtu edhe Gjermania, me vendosjen e masave ndëshkuese të aprovuara nga 27 shtetet anëtare të BE-së, ka pezulluar disa projekte që lidhën me energji të ripërtëritshme, siç tha ambasadori Jorn Rohde, për një çështje që mund të zgjidhej menjëherë.

“Ne duam ajër të pastër për Kosovën, ashtu siç e duam për Francën dhe Gjermaninë, pra sa më shumë që zgjatet natyrisht që ndikon te jetët e qytetarëve, prandaj na duhet progres i shpejtë dhe shtensionim sepse gjëja e fundit që njerëzit duan është pasiguri dhe e dini kemi shumë potencial për zhvillim ekonomik në Ballkanin Perëndimor, ne duam që i tërë rajoni të jetë më afër BE-së”.

Madje Rohde, po ashtu në një intervistë për Klan Kosova, tregoi për një bisedë që kishte realizuar “me një mik shumë të mirë të Kosovës”, i cili i kishte kumtuar diplomatit gjerman, se ngërçi aktual në Veri po rrezikon “ta kthejë Kosovën disa vite prapa në afrimin me strukturat Evropiane”.

“Kjo është gjëja e fundit që ne duam, për ne është e qartë se sa më shpejtë që vazhdohet drejtë rrugës së BE-së dhe të Këshillit të Evropës është më mirë, dhe kjo po minohet nga situata aktuale”, shtoi ai.