Britanikja “The Times” ka renditur edhe Shqipërinë mes 20 destinacioneve më të mira për të kaluar pushimet këtë verë. Në analizën e saj mes shpenzimeve dhe kënaqësisë, gazeta prestigjioze e ka vendosur vendin tonë mes emrave të njohur për turizmin si Turqia, Portugalia, Sri Lanka, Bali, Belize, Xhamajka, Franca, India, etj. “The Times” shkruan se Shqipëria ofron çmimet më të favorshme të Europës Lindore. Kafja 1 £, darka 7 £, birrë 1,50 £.

Një çift mund të provojë të treja pjatat e ushqimeve tradicionale duke sugjeruar tavën e kosit, por edhe pulën apo mishin e qengjit të pjekur. Por jo vetëm ushqime pasi edhe tarifat e biletave për të parë kështjellën e heroit kombëtar, “Skënderbeu në Krujë” apo shtretërit e shezlloneve në Rivierën Shqiptare janë krejtësisht të papërfillshme. Në profilin për Shqipërinë, “The Times” shkruan se Shqipëria po kalon një moment të rëndësishëm të fluksit turistik. Një vend krejt i mbyllur për botën pak më shumë se 30 vjet më parë tashmë po mirëpret një numër në rritje vizitorësh të etur për të eksploruar kulturën dhe traditat e tij unike. Çfarë të vizitosh në Shqipëri?

“The Times” sugjeron së pari Tiranën, ideale për pushime në qytet ku gjen të gërshetuara një përzierje magjepsëse ndërtesash. Më pas Berati, Gjirokastra dhe Butrinti. Shëtitje në rivierën shqiptare apo dhe alpet e veriut, por pa lënë mënjanë vizitat në bujtinat e hapura me ushqime tradicionale.