Tirana është gati për “grande boucle”-n. Nënkampionia e Shqipërisë ka edhe 24 orë kohë për përgatitjet e fundit në prag të sfidës me Dinamon. Në debutimin e kampionatit të 85-të, Tirana e nis si superfuqi.
Me ekipin më të plotësuar dhe me shumë lojtarë që kanë bërë histori me fanellën bardheblu. Përgatitjet e fundit kanë qenë të qeta, me ekipin që është i plotë në çdo repart. Surpriza do të jetë luajtja me katër sulmues, tre të deklaruar dhe ndoshta Hila nga pas “triadës”.
LËVIZJET – Trajneri Orges Shehi duket se e ka ndarë mendjen se me cilët lojtarë do të luajë nga minuta e parë. Duke lënë mënjanë të dëmtuarit Patrik dhe Selmani, Tirana do të ketë një rreshtim pak a shumë të njëjtë si në sfidat e fundit miqësore. Në portë do të jetë Ilion Lika, ndërsa në mbrojtje në krahun e djathtë ka një balotazh DokaHaxhiu, me këtë të fundit që mund të luajë titullar.
Në qendër Najdovski dhe Hoxhallari, ndërsa në krahun e majtë luan Përgjoni. Në mesfushë aktivizimi është për Lushkjën, Jonuzin dhe Hilën. Sulmi tani është me Kainën dhe nga krahët Abazaj dhe Latifi. Stolin e rrezikojnë Doka, Deliu, Mici. Hasani dhe Lulaj nuk janë për çështje disiplinore. Pak a shumë kjo do të jetë skuadra bardheblu që do të përballet me Dinamon.
TË DËNUARIT – Pikëpyetjet më të mëdha janë të dënuarit. Bruno Lulaj është ndëshkuar 6 javë kampionatin e shkuar dhe nuk do të jetë pjesë e javës së parë, pasi ka shlyer vetëm dy javë nga gjashtë dënim. Nga ana tjetër, Florent Hasani i dënuar katër javë ka shlyer dy dhe mund të luajë. Gjasat janë që klubi të mos i paguajë dënimin, por mbetet për t’u parë deri në sekondën e fundit nëse Tirana do të paguajë për aktivizimin e Florent Hasanit.
AFRIMET – Duke mos llogaritur largimet që te Tirana kanë qenë të shumta, bardheblutë këtë sezon kanë afruar shtatë lojtarë të nivelit të lartë. Të gjithë njohës të mirë të Superiores, të cilët do të jenë arma më e fortë e bardhebluve në këtë kampionat, që kanë si objektiv për Tiranën titullin kampion.