Foltorja e Sali Berishës do të mbajë ditën e sotme primaret për të zgjedhur një kandidat potencial për Bashkinë Kukës, në vazhdën e një kaosi të vërtetë të krijuar brenda të djathtëve, me kandidatë prej Partisë zyrtare Demokratike dhe prej fraksionit Berisha, në përplasje njëri me tjetrin.

Duhet në fakt të ishin gjashtë garues në këto primare të së dielës, por do të jenë pesë.

E gjitha, pasi Arif Rexhmati, i cili mbart edhe pozitën e kryetarit të PD-së dega Kukës, në frymë të fundit – edhe pse e kishte emrin në listën e primareve – ka vendosur të garojë për logon zyrtare të partisë.

Ai e bëri njoftimin menjëherë sapo u shpallën gjashtë kandidaturat e kampit Berisha dhe kjo krijoi një kaos të vërtetë në publik, me një emër që figuronte në dy kampe.

Rexhmati në fakt pati edhe mbështetjen e deputetëve demokratë, të cilët nuk mbështesin as kryetarin e zgjedhur të PD-së, Lulzim Basha dhe as Berishën në fraksionin e tij, si një shpresë ribashkimi dhe vullneti për të punuar së bashku në marrjen e Kukësit.

Por Berishën vetë nuk e tërhoqi kjo narrativë dhe me përjashtimin e Rexhmatit nga lista e primareve, u vendos që kandidaturat të mbeteshin pesë.

Dega fillimisht pati sjellë 10 propozime të cilat janë kontaktuar nga Sekretariati Organizativ dhe janë ftuar të plotësojnë dokumentacionin e kandididimit për Primaret.

Por, vetëm gjashtë prej tyre e morën hapin dhe me Rexhmatin jashtë, pesë mbeten.

Në listë bëjnë pjesë Ardian Elezi, Emri Vata, Gëzim Shehu, Uran Cengu dhe Ylber Zeleni.

Katër prej kandidatëve vijnë nga fusha e drejtësisë dhe një nga inxhinieria.

E gjitha ndërkaq është bërë publike pas dërëheqjes së kandidatit të shkuar në zgjedhjet e 14 majit, Admir Sinamati, i cili e bëri me dije vendimin më 23 gusht.

Do të jetë kësisoj një mundësi kjo për të parë situatën reale, apo do të kthehet – ashtu si në disa situata më 14 maj – në avantazhin e Partisë Socialiste, për të parë të ndarë të djathtët dhe për të përftuar në maksimizimin e votave të tyre?

Duhet të shihet se cila do të jetë përgjigja e kampit Berisha me përmbylljen e primareve.