Pavarësisht përpjekjeve të qeverisë britanike, në kanalin e La Manshit nuk ka të ndalur dyndja e emigrantëve të jashtëligjshëm, që këtë të Shtunë shkaktoi edhe tragjedi.

6 persona u mbytën dhe dhjetëra të tjerë rezultojnë të zhdukur nga fundosja e një anieje të vogël, vetëm pak pasi ishte nisur nga kepi i Grinesë në veri të Francës. Ekipet e përbashkëta franko-britanike arritën të shpëtonin 50 të tjerë.

Ata si fillim u lajmëruan për një varkë të bllokuar pranë brigjeve të Kalesë.

Në mediat britanike hidhen dyshime se shkak i tragjedisë ishte tejmbushja e anijes me njerëz, përtej kapacitetit. Personat që ndodheshin në bord përdornin deri këpucët e tyre për të nxjerrë ujin nga mjeti lundrues gjatë fundosjes.

Ministria e Brendshme britanike nuk dha detaje mbi tragjedinë, por e përshkroi atë si “humbje tragjike të jetëve”. Nuk dihet origjina e emigrantëve, por këtë rrugë përdorin në përgjithsi emigrantët e jashtëligjshëm nga vendet e Afrikës, të cilët shkojnë në Britaninë e Madhe, duke përshkuar territorin e Francës.

Statistikat deri më 10 Gusht tregojnë se që prej fillimit të vitit, mbi 15 mijë njerëz kanë kaluar La Manshin me varka.