Greqia është përfshitë nga trazirat mbrëmjen e djeshme para ndeshjes para ndeshjes AEK- Dinamo Zagreb për kualifikueset e Champions League. Përplasja mes tifozëve jashtë stadiumit të AEK “OPAP Arena” në New Philadelphia u kthye në një tragjedi me një të vdekur dhe 9 të plagosur.

Mediat greke shkruajnë se si pasojë e këtyre trazirave ka humbur jetën një 22-vjeçar, tifoz i Aekut. Nëntë persona të tjerë u plagosën nga incidentet e dhunshme, mes tyre një 17-vjeçar. Tre grekë dhe pesë kroatë janë shtruar në spital. Policia ka arrestuar 96 tifozë, mes tyre 82 kroatë, 1 austriak, 1 boshnjak, 1 shqiptar, 1 gjerman, 2 grekë.

Incidentet e tmerrshme nisën mbrëmjen e së hënës vonë kur tifozët e Dinamo Zagrebit të cilët u nisën me makina nga kryeqyteti kroat mbërritën në New Filadelfia. Mediat vendase thonw se bashkë me huliganët e Dinamo Zagrebit jashtë stadiumit të AEK-ut ka pasur edhe tifozë të Panathinaikos dhe së bashku kanë sulmuar tifozët e AEK-ut që ndodheshin në OPAP Arena.

Organizatorët e Dinamos së bashku me tifozët e PAO, rreth 200 persona, kanë mbërritur me shpejtësi jashtë stadiumit dhe rreth orës 23:00 kanë sulmuar tifozët e AEK-ut. Ka shpërthyer një përleshje e ashpër, me bomba molotov, shkop dhe sende të tjera. Huliganët tentuan të futeshin edhe në stadium, dyert e të cilit ishin të mbyllura.

Ndërkohë në stadiumin e AEK-ut kishte përfunduar stërvitja e dy skuadrave, delegacioni i Dinamos shkoi në hotel me shoqërim policie, ndërsa zyrtarët e AEK-ut mbyllën stadiumin, por shumë tifozë përfunduan në kafenetë e zonës. Njerëzit e tmerruar mbyllën dyqanet përreth Arenës OPAP për t’u mbrojtur.