Vlera e pronës në zonën e Astirit është trefishuar pas ndërtimit të Unazës së Madhe, projekt i cili u bllokua për 3 vite me radhë nga opozita. Ekspertët e pasurive të paluajtshme pohojnë se kjo është zona ku prona ka pësuar rritjen më të madhe të vlerës në Tiranë vitet e fundit. Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj shkruan në Twitter se ky është rezultati më pozitiv i punës që sjell zhvillimin për të gjithë ata që e përkrahin atë.
“Kush votoi e besoi tek lagjja Rilindja (ish Astir) se rruga, puna e zhvillimi do u jepte më shumë vlerë atyre shtëpive, sot u shpërblye! Vetëm përpara!” – shprehet Veliaj. Në një intervistë për Euronews, eksperti Gjergji Bega tha se një apartament sot në zonën e Astirit shitet me 1200 euro metri katror, ndërkohë që para vitit 2015 kjo zonë ka qenë problematike për shitje, me një çmim prej 400-500 euro për metër katror.