Ish-presidenti i ShBA-së, Donald Trump po planifikon të anashkalojë debatin e parë republikan javën e ardhshme, dhe në vend të kësaj planifikon të ulet për një intervistë online me ish-prezantuesin e Fox News, Tucker Carlson, raportoi New York Times, duke cituar njerëz të informuar për këtë çështje.
Trumpi prej muajsh ka lënë të kuptohet se ai ka të ngjarë të anashkalojë debatin e së mërkurës mbrëma në Milwaukee, Wisconsin, duke thënë se nuk kishte kuptim t’u jepej të tjerëve mundësia për ta sulmuar atë, duke pasur parasysh epërsinë e tij të konsiderueshme midis republikanëve në sondazhet kombëtare.
Ish-presidenti ka kritikuar gjithashtu Fox News, televizion në të cilin do të mbahet debati, lidhur me mbulimin e fundit për të.
Mungesa e Trumpit mund të nënkuptojë se Guvernatori i Floridës, Ron DeSantis, i dyti në radhë në sondazhe, do të bëhet fokusi i sulmeve nga kandidatë të tjerë që kërkojnë të pozicionohen si alternativa kryesore ndaj ish-presidentit.
Zëdhënësi i fushatës së Trumpit, Steven Cheung, tha se asgjë nuk ishte konfirmuar mbi planet e debatit të kandidatit, pa dhënë detaje.
Përfaqësuesit e Fox-it, të cilët ndanë rrugët në fillim të këtij viti me Carlsonin, dhe Komiteti Kombëtar Republikan, nuk mund të kontaktoheshin menjëherë për koment. Carlson, i cili tani po krijon kompaninë e tij mediatike, gjithashtu nuk mund të kontaktohej.
Në sondazhin më të fundit të Reuters-Ipsos të publikuar këtë muaj, Trumpi mbajti 47 për qind të votave të republikanëve në nivel kombëtar, me DeSantis duke rënë gjashtë pikë përqindjeje nga korriku në vetëm 13 për qind. Asnjë nga kandidatët e tjerë për të marrë pjesë në debat nuk ka e kaluar njëshifrorin, shkruan Retuers.