Vetëm 9 kilometra larg nga qyteti i Elbasanit ndodhet Bysheku, një nga zonat më të bukura turistike të kësaj bashkie.
 
Bysheku është një hapësirë e pyllëzuar që spikat edhe për vlerat historiko-kulturore, ku duket se natyra ka bërë “pakt” me banorët për t’u dhuruar atyre, por jo vetëm, qetësi dhe një atmosferë ndryshe nga përditshmëria.

Ditën e sotme, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi ka sjellë në vëmendje mundësinë për të kaluar një fundjavë të qetë dhe të bukur me familjen në këtë zonë.

POSTIMI I MINISTRES KUSHI:

Të gjithë në Elbasan e njohin Byshekun, një pikë turistike shumë e veçantë, vetëm 9 kilometra larg qytetit, me burime të shumta ujore, ku veçohet një burim karstik i ftohtë me prurje 70 litra në sekondë. Por jo të gjithë e dinë që rrapet shekullorë aty kanë të njëjtën moshë sa Kalaja e Elbasanit dhe nën rrënjët e tyre janë zbuluar rrënojat e një kishe, kolona cilindrike dhe gurë të skalitura me kryqe.

Një piknik me familjen dhe shoqërinë në Byshek, në një ditë të nxehtë vere, për të shijuar freskinë e burimit nën hijen e rrapeve, me ushqime bio tradicionale e duke kënduar këngët e vjetra të Isuf Myzyrit, është një nga traditat më të bukura të Elbasanit që nuk duhet të humbasë.

https://m.facebook.com/story.php?story_fbid=769773851614299&id=100057450729783&mibextid=Nif5oz