Ka më shumë se një muaj që edhe në Greqinë e mbytur nga turistët, flitet dhe shkruhet gjithnjë e më shumë për mrekullinë shqiptare të turizmit, për faktin se si në pak vite Shqipëria u shndërrua në një nga destinacionet më të njohura të pushimeve në Evropë.
Padyshim që edhe Dua Lipa është “Hot”, por ndoshta vendi i saj i lindjes, Shqipëria meriton emërtimin “Super Hot”, thekson portali grek “The Magazine”. Me titull “Albamania” ,artikulli i tij përshkruan përpjekjen në vite të Shqipërisë për tu kthyer në një prej destinacioneve turistike më të njohura në Evropë me rreth 300 milje bregdet, plazhe të pabesueshme dhe bukuri natyrore, kështjella, male dhe liqene, monumente, gastronomi, jetë nate, turne dhe ekskursione, hoteleri dhe gjithçka tjetër që kërkon turisti i sotëm.
Sa i përket politikës turistike që zbaton qeveria, slogani është një: turizëm cilësor dhe jo sasior, me vlera dhe jo me volum. Sipas artikullit pas covidit në vend kanë vërshuar spanjollët, britanikët, polakët grekët e italianët dhe në 6 mujorin e parë të këtij viti ka një rritje prej 33% në krahasim me vjet. Portali i referohet edhe sloganit që përdor kryeministri shqiptar që u drejtohet turistëve duke u thënë se “Çdo gjë që ju nevojitet është në Shqipëri”. Por ndërkohë që turistët vërshojnë drejt vendit ballkanik, shqiptarët po largohen në tufë, rreth 700.000 vetëm në dekadën e fundit, nënvizon artikulli , fakt që ndikon negativisht në sektorin e turizmit i cili është në vështirësi për të gjetur fuqi punëtore.
Një prej lëvizjeve të mençura të qeverisë shqiptare thuhet se është heqja e vizave me Kinën,si një potencial i fuqishëm në këtë sektor. Ndërkohë nuk kalon ditë ,shkruan portali, pa ndonjë artikull lavdërues në mediat ndërkombëtare për Shqipërinë, nga “BBC”, “Le Monde”, “Corriere della Sera” në Kinën e largët dhe botën arabe.
“Shqipëria autentike, e pa eksploruar dhe e nënvlerësuar ka gjire dhe bukuri për të rivalizuar fqinjët e saj” shkruan “Independent”, “Australian Vogue” e quajti Shqipërinë “Kroacia e Re”, Euronews “Maldivet e Evropës” dhe Telegraph “Karaibet e Evropës”.
Portali i lë vend edhe vlerësimeve të Marios Belimbasakis, drejtues i Zyrës së Çështjeve Ekonomike dhe Tregtare në Ambasadën e Greqisë në Tiranë që thekson se produkti turistik i Shqipërisë karakterizohet nga peizazhet e mahnitshme, plazhet e pacenuara në vijën bregdetare të bukur përgjatë deteve Adriatik dhe Jon, vargmalet piktoreske, monumentet historike në vendet e lashta arkeologjike të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s ,atmosfera e gjallë të qyteteve si Tirana dhe Shkodra, çmimet konkuruese si dhe mikpritja e ngrohtë, ndërkohë që turistët mund të përjetojnë përzierjen unike të ndikimeve osmane, greke dhe italiane të dukshme në arkitekturën, kuzhinën dhe traditat e Shqipërisë.
Sipas Belimbasakis shumë turistë grekë vizitojnë rajonin bregdetar jugor, të njohur si Riviera Shqiptare, e cila është e famshme për plazhet e saj të bukura dhe ujërat e kristalta,ndërsa lidhjet kulturore dhe historia e përbashkët midis Greqisë dhe Shqipërisë luajnë gjithashtu një rol të madh në tërheqjen e turistëve grekë për të eksploruar vende arkeologjike si Butrinti.