Presidenti ukrainas, Volodimir Zelensky (lindur në vitin 1978) mban këtë detyrë që nga viti 2019, kur fitoi raundin e dytë të zgjedhjeve me 73 për qind të votave, duke mposhtur rivalin e tij Petro Poroshenko, presidentin në ikje (në vitet 2014-2019) dhe oligark në industrinë e prodhimit dhe bujqësisë, por edhe sektorin e financave, si dhe një sponsor i protestave masive që morën emrin Euromaidan në vitin 2014, nëpërmjet kanalit të tij televiziv “5 Kanal TV”.

Pavarësisht kësaj, Poroshenko deklaroi në fillim të prillit 2014 se niveli i mbështetjes popullore për anëtarësimin e Ukrainës në NATO ishte shumë i ulët, ndaj ai nuk mund të përfshihej në axhendën politike të qeverisë. Kjo ide duhej përjashtuar “për të mos e shkatërruar vendin”.

Kryengritja e mbështetur nga Rusia në Donbas, aneksimi i Krimesë nga Moska dhe korrupsioni endemik që minonte besimin e publikut në qeveri, solli rënien e mbështetjes ndaj tij pavarësisht përpjekjes modeste për të zbatuar disa reforma.

Në këtë kohë nisi të shfaqej një serial televiziv “Shërbëtori i popullit”, që pati që në fillim një sukses të madh në publik. Protagonisti, një mësues historie që lufton kundër korrupsionit duke u bërë president i Ukrainës, u ngrit në nivelin e udhëheqësit ideal për ukrainasit.

Ai profesor ishte komediani Volodimir Zelenski. Presidenti aktual i Ukrainës, ia ka dalë ta shfrytëzojë me mjeshtëri famën për të ndërtuar karrierën e tij politike. Dhe fitorja në zgjedhje ndodhi falë programit të tij kundër korrupsionit por edhe në sajë të popullaritetit të fituar përmes serialit televiziv.

Zelenski mori mbi 30 për qind të votave që në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale më 31 mars 2019, dhe presidenti në detyrë Poroshenko doli i dyti me 16 për qind. Zelenski e prezantoi veten para njerëzve si një lider që kërkon paqe. Në fjalimin e tij gjatë ceremonisë së marrjes së detyrës ai foli në dy gjuhët, rusisht dhe ukrainisht, duke bërë thirrje për unitet kombëtar.

Megjithatë, popullariteti i tij nisi të bjerë shumë shpejt. Sipas një sondazhi në dhjetor 2020 vetëm 30 për qind e popullsisë e mbështeste atë, dhe kjo për shkak të pavendosmërisë së tij në luftën kundër korrupsionit dhe paaftësisë për t’i dhënë fund konfliktit të brendshëm, pavarësisht disa masave autoritare, siç ishte mbyllja e 3 kanaleve televizive pro-ruse në pronësi të oligarkut Viktor Medvedçuk – një figurë e afërt me presidentin rus Vladimir Putin – në shkurtin e vitit 2021.

Në lidhje me këtë çështje një raport i Kombeve të Bashkuara theksonte se një “shqetësim të veçantë përbën mungesa e përgjegjësisë për kërcënimet dhe dhunën ndaj mbrojtësve të të drejtave të njeriut, operatorëve të medias dhe individëve që shprehin opinione online apo që tentojnë të marrin pjesë në përpunimin e politikave”.

OHCHR dokumentoi 29 incidente kundër gazetarëve, profesionistëve të medias, blogerëve dhe individëve që shprehnin pikëpamje kritike ndaj qeverisë ose tregimeve kryesore. Gjatë viteve 2020-2021, ishin vazhdimisht në shënjestër gazetarët investigativë dhe reporterët e medias që mbulonin çështje politike si korrupsioni po edhe zbatimi i kufizimeve për shkak të Covid-19.

Ndërkohë, një skandal i lidhur me “Pandora Papers” ndikoi në rënien e mëtejshme të popullaritetit të Zelenskit në atë periudhë. Sepse u zbulua se udhëheqësi ukrainas zotëronte një “thesar” të vogël në llogaritë bankare në parajsat fiskale, gjë që shkaktoi jo pak siklet tek presidenca ukrainase që disa muaj më parë – në nëntor 2021 – kishte miratuar ligje që synonin t’i reduktonin pushtetin e madh që kishin oligarkët në vend.

Në atë moment, në sytë e popullatës, Volodimir Zelenski dukej si çdo manjat tjetër i korruptuar i Ukrainës. Situatë që ndryshoi rrënjësisht me pushtimin rus që filloi më 24 shkurt 2022. Udhëheqësi i Kievit ishte në gjendje të ndërtonte menjëherë një imazh të “presidentit në front”, aq sa në mars 2022 popullariteti i tij u rrit në 80 për qind.

Po a do të zgjasë ky popullaritet? A do të jetë në gjendje Zelenski ta shfrytëzojë atë në funksion të zgjedhjeve të reja në kohë paqeje? Në të gjitha shoqëritë, popullsia që përballet me kërcënimin e luftës, priret të ketë një preferencë më të madhe për sundimin autoritar. Aktualisht për shkak për shkak të imazhit që ai ka ndërtuar, lideri ukrainas shihet si shumë kompetent, por dominant vetëm në nivele mesatare, gjë që sugjeron se ndoshta ukrainasit e shohin Zelenskin si ekuilibrin e duhur të tipareve që duhet të ketë lidershipi i vendit në kohë jashtëzakonisht të vështira.

Nëse konflikti aktual vazhdon për një kohë të gjatë, dhe preferenca për një udhëheqje dominuese do të rritet gjatë kohës së luftës, dikush mund të pyesë veten nëse Ukraina do të anojë drejt autoritarizmit. Në realitet, një studim sociologjik tregon se pavarësisht se vlerësojnë tiparet autoritare për shkak të luftës së vazhdueshme, ukrainasit preferojnë për kohë paqeje një udhëheqës më liberal dhe më kompetent në vend të një udhëheqësi dominant.

Për më tepër, kërkimet psikologjike dhe antropologjike tregojnë se pakënaqësia kundër lidershipit autoritar është e zakonshme në shoqëritë njerëzore, përveçse në rastin e një krize akute. Prandaj kur të rikthehet paqja, ka shumë gjasa që ukrainasit të ri-kalibrojnë preferencat e tyre, pa harruar nevojën për të luftuar korrupsionin dhe pushtetin e madh të oligarkëve, të cilën ky konflikt e ka zbehur ndjeshëm.

Po kush mund ta zëvendësojë Zelenskin? Së pari ka shumë pak gjasa, dhe pikërisht për shkak të nevojave të menjëhershme, që Zelenski të zëvendësohet gjatë konfliktit. Nëse do të ndodhte diçka e tillë, Kievi do të tregonte një shenjë dobësie ogurzezë për fatin e luftës, dhe në çdo rast presidenti është shumë popullor në mesin e ushtrisë ukrainase.

Gjithsesi, disa oligarkë ukrainas mund të kenë disa shanse për të pasur një karrierë politike pas konfliktit. Midis tyre përmendim Viktor Pinçuk, i cili që nga fillimi i pushtimit u ka kërkuar vendeve perëndimore të rrisin mbështetjen e tyre ushtarake dhe ka kritikuar disa vende, si Gjermania, për hezitimin e tyre fillestare në lidhje me dërgesën e armëve.

Deri në fund të shtatorit 2022, oligarku kishte shpenzuar më shumë se 45 milionë dollarë për të mbështetur ushtrinë dhe civilët ukrainas, përmes fondacionit të tij bamirës. Ndërkohë në javët e para të luftës, kur trupat ruse po i afroheshin Kievit, ai strehoi mjeket në vilën e tij luksoze në periferi të kryeqytetit ukrainas.

Duhet theksuar se perandoria tregtare e Pinçuk ka vuajtur më pak nga pasojat e konfliktit. Këta faktorë mund të jenë kyç në vendimin e tij për të nisur një karrierë politike. Por edhe ish-presidenti Poroshenko mund të rikthehet në pushtet. Përveçse favorizoi politikat nacionaliste kur ishte president, ai shfaqet në media i veshur me rroba ushtarake dhe ka organizuar grupe vullnetarësh për të ndihmuar në luftën kundër rusëve.

Ndërkohë kompanitë e Poroshenkos kanë shpenzuar më shumë se 46 milionë dollarë për të mbështetur ushtrinë. Ai e furnizoi ushtrinë me automjete të blinduara të blera në Itali dhe Britani, jelekë anti-plumb, helmeta, karburant etj. Por emri më premtues mund të jetë Dimitro Razumkov, ish-kryetar i Verkhovna Rada, parlamentit të Ukrainës.

Në vitin 2019, Razumkov ishte një nga figurat kryesore që solli në pushtet Zelenskin dhe partinë e tij, duke u bërë shumë shpejt lideri zyrtar i saj. Por rrugët e Zelenskit dhe Razumkov filluan të ndahen, kur ky i fundit mori anën në mbrojtje të kushtetutës – edhe kur në lojë ishte lufta kundër oligarkëve – dhe të “premtimeve presidenciale të 2019-ës” deri në përjashtimin e tij nga partia dhe shkarkimin nga detyra.

Razumkov e përdori këtë si një bazë për një fushatë të ardhshme politike, duke theksuar se ai u qëndroi besnik premtimeve të vitit 2019, ndërsa Zelenski i kishte harruar ato. Imazhi politik i Zelenskit jashtë vendit duket si i pathyeshëm.

Por justifikimi i dobët në lidhje me llogaritë bankare në parajsat fiskale, dëbimin e Razumkov nga partia, masat e mëtejshme autoritare siç është ndalimi i teksteve në rusisht dhe masa të tjera të ngjashme, por edhe perceptimi i mundshëm se udhëheqësi aktual nuk është në gjendje të ketë të gjithë mbështetjen e mundshme ndërkombëtare për përfundimin me sukses të konfliktit, mund të sjellin lehtësisht fundin e pushtetit të tij që në momentin e parë kur do të jetë e mundur të shkohet sërish në zgjedhje.

Tek e fundit, imazhi i një lideri autoritar nuk pëlqehet aspak në kohë paqe. Dhe kjo nuk vlen vetëm për demokracitë perëndimore, por edhe për vende si Ukraina, me gjithë ndjenjat nacionaliste që kanë zënë akoma më shumë rrënjë për shkak të pushtimit rus. Nëse do të ndodhte e kundërta, do të ngjallte fantazmat e një të kaluare sovjetike jo shumë të largët./ “Il Giornale” – Përkthyer nga CNA.al