Një oficer policie në Durrës është arrestuar nga Agjencia e Mbikëqyrjes policore, i dyshuar për korrupsion. Në pranga ra nënkomisari A.XH., 31 vjeç, në Seksionin e Hetimit të Narkotikëve pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës. Duke shfrytëzuar pozicionin, ai ushtronte presion dhe mashtronte shtetasit, që shoqëroheshin me doza narkotike, kundrejt përfitimeve monetare.
Për ndalimin e tij ka reaguar edhe Ministri i Brendshëm Taulant Balla, i cili përgëzon AMP-në për dokumentimin e provave.
“Sapo kemi dërguar para drejtësisë një tjetër oficer policie me gradën N/Komisar në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, të përfshirë në korrupsion dhe minim të luftës së policisë kundër trafikimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike. Përgëzoj Agjensinë e Mbikqyrjes Policore për dokumentimin e plotë të provave në kuadër të këtij procedimi penal dhe përfundimit të hetimeve në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë pranë Gjykatës Shkallës Parë të Juridiksionit Përgjithshëm Durrës.
Shpreh besimin se forcimi i bashkëpunimit mes agjencive ligjzbatuese dhe lufta e përbashkët për spastrimin e vatrave të krimit përballë dhe brenda vetë organizatës së Policisë së Shtetit, do ta çojë Shqipërinë në një tjetër nivel të sundimit të ligjit. Përgëzime dhe vetëm përpara!”-shkruan Taulant Balla.