Kryeministri Edi Rama falënderoi sot forcat zjarrfikëse të Vlorës dhe repartet e Forcave të Armatosura për vendosjen nën kontroll të vatrave të zjarrit.

“Punë e shkëlqyer këtë sezon bashkë me Policinë e Shtetit”, shkroi Rama në rrjetet sociale, teksa ndau edhe një video nga operacioni.

Më herët, ministri i Brendshëm, Taulant Balla informoi se, “gjatë natës së mbrëmshme situata në zonën e Porto Palermo u rëndua për shkak të erës së fortë dhe u evakuan banorët nga banesat dhe bizneset e zonës, teksa në këtë moment situata është drejt normalizimit”.

Më herët, Policia e Shtetit identifikoi dhe vuri në pranga 2 autorët e zjarrvënies, blegtorë nga fshati Kudhës, të cilët kishin marrë me qira një sipërfaqe pyjore për kullotë. Shërbimet e Policisë kanë kapur dhe arrestuar në flagrancë shtetasin E. M., 44 vjeç, banues në Kudhës, Himarë, dhe nipin e tij, shtetasin A. L., 29 vjeç, banues në Himarë.

Këta shtetas, me qëllim rigjenerinim e kullotës, i kanë vënë zjarrin sipërfaqes pyjore që ia kishin marrë me qira Drejtorisë së Pyjeve dhe Kullotave në bashkinë Himarë.

Për shkak të erës, zjarri ka marrë përmasa të mëdha duke djegur dhjetëra hektarë sipërfaqe pyjore.

Gjithashtu, është proceduar penalisht për shpërdorim detyre shtetasi S. N., 52 vjeç, banues në Himarë, me detyrë inspektor pyjeve në bashkinë Himarë, si dhe një tjetër shtetas për “Moskallëzim krimi”.