David Beckham, pronar i Inter Miami, skuadrës që garon në MLS, vazhdon të shijojë një nga nënshkrimet historike të futbollit botëror. Pikërisht ai është një nga arkitektët kryesorë të transferimit të Lionel Messit në skuadrën rozë. Ish-futbollisti i shquar anglez nuk ka reshtur së shijuari golat e yllit argjentinas, edhe së fundi në finalen e Kupës së Ligës, që shkoi për herë të parë në histori tek Inter Miami.

Në një episod emocionues të kapur në video gjatë një ndeshjeje të fundit, Beckham demonstroi entuziazmin e tij të tejmbushur për talentin e Messit. Megjithatë, festimet e shumta të Beckhamit u ndërprenë papritur nga një figurë po aq ikonike në jetën e tij; gruaja e tij, Victoria Beckham.

Ky moment është bërë viral në rrjetet sociale. Është një video që tregon David Beckham duke kërcyer nga vendi i tij në tribunën e stadiumit, duke tundur krahët dhe bërtitur nga emocioni pasi Messi shënoi një gol vendimtar për ekipin.

Ndërkohë që britaniku feston, Victoria Beckham, e cila ishte ulur pranë bashkëshortit të saj, duket se e qorton në mënyrë diskrete. Në mes të euforisë së përgjithshme, shprehja e stilistes britanike ndryshoi dukshëm dhe pas një shkëmbimi të shkurtër fjalësh, David Beckham zgjodhi të përmbajë emocionet e tij dhe të ulet përsëri në vend, megjithëse buzëqeshja e kënaqur nuk iu shua plotësisht.