Dy persona janë proceduar penalisht në Kakavijë, pasi po tentonin të kalonin një shumë të konsiderueshme parash nga Shqipëria, në drejtim të shtetit të Greqisë.

Sipas policisë kufitare, në dy raste janë sekuestruar në total një vlerë prej 47 mijë eurosh. Ata i kishin fshehur paratë në automjete dhe në çantë. Autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e rasteve.

“Si rezultat i angazhimit maksimal të shërbimeve të Policisë Kufitare të PKK Kakavije, për parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare, krahas atij për ofrimin e një shërbimi cilësor dhe etik, qytetarëve në hyrje/dalje, janë konstatuar dhe goditur 2 raste të mosdeklarimit të të hollave në këtë PKK. Në bazë të analizave të riskut, në dalje të vendit, u kaluan në vijë të dytë:
-Automjeti me drejtues shtetasin grek V. P., ku gjatë kontrolleve të imtësishme, u gjetën të fshehura 30 000 euro që ky shtetas tentonte t’i nxirrte nga vendi ynë, pa i deklaruar konfrom ligjeve;
-Shtetasi A. J. dhe gjatë kontrollit në çantën e tij, u gjetën 17 000 euro që ky shtetas tentonte t’i nxirrte nga vendi ynë, pa i deklaruar konfrom ligjeve.
Në vijim të veprimeve procedurale për këto raste, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit V. P., 60 vjeç, banues në Greqi dhe A. J., 53 vjeç, banues në Tepelenë, si dhe u sekuestruan shumat e parave.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, bën të ditur Policia.