Pamjet e publikuara nga mediat greke hedhin dritë mbi momentin e plagosjes nga policia e Athinës të 38-vjeçarit shqiptar.
Rreth orës 11:15 të mëngjesit të së martës në lagjen Colonos të kryeqytetit grek, Elton Zoto tentoi të grabiste një bankë.
Policia mbërriti menjëherë në vendgjarje duke e rrethuar grabitësin i cili sipas pamjeve jo vetëm që nuk është dorëzuar, por tentoi të largohej duke i kërcënuar me thikë.
Në ndjekje të tij ka marrë pjesë edhe një efektiv i policisë jashtë detyrës i cili përpiqet ta ndalojë duke i drejtuar armën. Grabitësi tenton ta sulmojë me thikë dhe polici qëllon një herë drejt tij. Pasi është plagosur në bark, Zoto është neutralizuar menjëherë nga efektivët e tjerë të policisë që po e ndiqnin.
Mësohet se i plagosuri po kurohet nën mbikëqyrje të policisë në spitalin Evangjelismo të Athinës. Elton Zoto me origjinë nga Delvina njihet si përdorues i lëndëve narkotike.