Nga Arta Avdiu/
Që më shumë se 30 vite, shqiptarët në Kosovë dhe ata në Maqedoni të Veriut janë përcaktuar të jetojnë ndaras. Pavarësisht nëse një vendim i tillë ishte vullnetar apo i imponuar nga rrethanat, prej viteve 90-ta dy shoqëritë janë zhvilluar ndaras, paralelisht, shpesh si dy ishuj tërësisht të veçantë. Kemi dy shtete të ndryshme, shumë universitete të ndara, disa televizione. Natyrisht, varfërinë, ikjen, korrupsionin i kemi të përbashkëta. Dhe kështu do të mbesë, përkundër vizitës krejtësisht të çuditshme të Albin Kurtit javë që po ikën.
Kurti shkoi në Çair e Tetovë dhe me shpejtësi u kthye nga atje. Pak orë vizitë, disa fjalime, shumë dalldisje mes muzikës patriotike, himnit kombëtar dhe emocionit disi të shtisur të vëllazërisë së përjetshme. Por shija e hidhur dhe, me shumë gjasë, ndjenja e turpërimit te shumica maqedonase kanë mbetur edhe pas vizitës së Kurtit.
Në fakt, takimi në Çair e Tetovë i ka bashkuar radhet maqedone, pasi kundër vizitës së Kurtit reaguan që nga presidenti liberal Pendarovski, Qeveria e Maqedonisë së Veriut, LSDM-ja e deri te partitë maqedone me ngjyrime nacionaliste e organizata ekstremiste si Diaspora e Bashkuar Maqedone. Pra Kurti e hegjemonizoi politikën e shoqërinë maqedone në kundërshtimin ndaj tij e partive opozitare shqiptare.
Albin Kurti / Presidenti i Maqedonisë për tubimin ku mori pjesë Kurti: Organizatorët duhet të sanksionohen
Vizita e Kurtit ka rrezik të ngjallë nacionalizmin e fjetur, duke e kthyer potencialisht sërish klimën e urrejtjes, mosdurimit e polarizimit të shoqërisë multi-etnike të Maqedonisë së Veriut, një e kaluar që dukej tashmë e lënë prapa. Kur nxehen gjakrat e ashpërësohet gjuha nacionaliste, të parët që zhduken nga skena janë politikanët e moderuar, të cilët e kërkojnë konsensusin e kompromisin ndëretnik.
Prandaj gjykoj se vizita ishte e gabuar, sepse të gabuara ishin edhe mënyra, edhe arsyet, edhe momenti i sorollatjes disa-orëshe të Kurtit në Maqedoninë e Veriut. Para së gjithash, vizita na tregoi edhe një herë mungesën e përgjegjësisë prej lideri të Kurtit, ngase e trazoi panevojshëm marrëdhënien me Maqedoninë e Veriut, një vend miqësor me Kosovën. Duket se Kurti nuk arrin të kuptojë se më nuk është politikan i një partie opozitare, por udhëheqës i një shteti të pavarur, i cili duhet të kontribuojë për stabilitet e paqe rajonale.
Gjatë tërë jetës së tij politike, Kurti është kujdesur të ndërtojë simbolika, të dërgojë mesazhe, të krijojë narrativë. Edhe vizita në Tetovë e Çair – dyshoj që shumica e kosovarëve të kenë dëgjuar më parë për këtë emër me katër shkronja – ishte pjesë e performancën politike të Kurtit. Me vizitën e tij joformale, Kurti synoi të arrijë dy objektiva, që më shumë janë dy kumte, një për konsum të brendshëm në Kosovë dhe, një tjetër, që i kushtohet elektoratit shqiptar në Maqedoni të Veriut.
E para, Kurti e shpërfaqi rreshtimin e tij në krah të opozitës shqiptare e kundër Ali Ahmetit dhe BDI-së. Nga një pikëpamje etatiste, ky veprim i Kurtit është përzierje në politikën e brendshme të Maqedonisë së Veriut dhe është cenim i sovranitetit të një shtetit të pavarur. Pra është gabim, i dënueshëm, i denoncueshëm. Në këtë pikë, reagimi i Pendarovskit dhe Qeverisë së Maqedonisë është tërësisht logjikë, i duhur dhe i mirëkuptueshëm.
Sigurisht, ka edhe një mesazh të dytë, madje kryesori, që lidhet me Kosovën. Duke qenë idhull i nacionalistëve në Kosovë, përmes vizitës në Tetovë, Kurti dëshiroi të mirëmbajë elektoratin e shqiptaromadhëve. Kurti tentoi të ruajë simpatinë e njerëzve që Maqedonisë së Veriut i referohen paturpësisht si Iliridë, një term që mohon ekzistencën e shtetit maqedon. Në këtë kontekst, sheshi i mbushur me shumë flamuj kuq e zi, me një hartë në mes që simbolizonte Shqipërinë Etnike, përcjellur nga muzika folklorike, janë pjesë e ikonografisë nacionaliste që nuk lë vend për një shoqëri multietnike. Nënteksti është i qartë: Ilirida ka qenë dhe do të jetë gjithmonë shqiptare.
Kjo qasje e Kurtit është paternaliste, pasi e kthen faktorin shqiptar në Maqedoni të Veriut në mjet për shfrytëzim, në hamall që kryen detyra. Pra nga një subjekt me të drejta, që flet e vepron, në një objekt që pranon urdhra, që i nënshtrohet pushtetit absolut të timonierit nga Kosova. Opozita shqiptare në Maqedoninë e Veriut duhet ta kuptojë që në planin e Kurtit ata janë veç gurë shahu, që kryejnë role të paracaktuara. Porsa të përformojnë rolin e paracaktuar nga mendja e Kurtit, ata do të bëhen të parëndësishëm për master planin e Kurtit.
Sa për ilustrim, nga njeri i afërt i Kurtit e ministër i Jashtëm në Qeverinë e parë të Kurtit, tash Blerim Reka është “syrgjynosur” në konsullatën e Kosovës në Nju Jork. Dikur kryediplomat i Kosovës, tani Reka lëshon dokumente dhe kurorëzon çifte të reja në konsullatën kosovare që sigurisht frekuentohet pak. Fati i njëjtë, pra i harresës, i lënies pas dore, i përjashtimit, do t’i ngjajë edhe opozitës, nëse e vazhdon flirtimin me Kurtin.
Andaj, opozita është para një dileme hamletiane: a do ta “luftojë” Ali Ahmetin me forcat e saj apo do të shndërrohet në një hamall i Kurtit? Sa më parë që opozita vendosë, aq më mirë për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut. Është gabim që shqiptarët të jetojnë në Maqedoni të Veriut e të ëndërrojnë Shqipërinë e Madhe. Sigurisht, ëndrrat janë pa para, por jeta është e shkurtër për t’u humbur në ëndrra.