Një zbulim që formëson historinë, një dedikim i fuqishëm nga Perandori Justinian është zbuluar në Lokalitetin Arkeologjik Ulpiana, të Kosovës. Ekipi i arkeologëve në përbërjen e të cilit ishin edhe Christophe Goddard, Arben Hajdari e Milot Berisha, gjatë hulumtimeve shkencore zbuloi një mbishkrim monumental, me rëndësi të jashtëzakonshme historike, nga Perandori Justinian (527-565) i qytetit Justiniana Secunda, i përshkruar si qytet Dardan, një qytet në provincën e Dardanisë (krijuar nga paraardhësi i tij Diokleciani në fillim të shek. IV pas e.s.) dhe i kishës së tij.
Mbishkrimi paraqet një dëshmi shumë të rrallë dhe vërteton afërsinë e perandorit ndaj provincës së origjinës. Kisha paraqet një prej zbulimeve më të mëdha të Perandorisë së vonshme Romake dhe perandorëve më të rëndësishëm. Profesori i Antropologjisë në Universitetin e Prishtinës, Tahir Latifi, e ka quajtur të jashtëzakonshëm zbulimin e mbishkrimit të përandorit Justinian në parkun arkeologjik “Ulpiana”.
Zbulimit po i bëhet jehonë nga vizitorë të rëndësishëm që kanë vërshuar këto ditë aty. Aktualisht në parkun arkelogjik të Dardanisë kanë zbarkuar figura të larta të politikës dhe diplomacisë të akredituar në Kosovë./m.j