Të paktën 80 njerëz kanë mbetur të vdekur nga zjarret në ishullin Havai të Maui, numër i cili sipas autoriteteve pritet të rritet ende, pasi qindra njerëz janë zhdukur.

Zjarrfikësit janë përpjekur të frenojnë zjarret në disa zona, duke përfshirë qytetin historik të Lahaina, i cili është shkatërruar plotësisht.

Tre ditë pas katastrofës, mbetet e paqartë nëse banorët kishin marrë ndonjë paralajmërim përpara se zjarri të përpinte shtëpitë e tyre.

“Zakonisht përdoren sirenat e uraganit ose bëjnë diçka për të na paralajmëruar. Kësaj radhe asgjë. Të gjithë po evakuohen duke u mbështetur në fjalë goje. Kjo është arsyeja pse kaq shumë njerëz kishin dalë në rrugë, thjesht rrinin jashtë, të pafuqishëm”, thotë Sydney Carney, banore e qytetit Lahaina, për BBC.

Presidenti Joe Biden gjatë javës urdhëroi që të sigurohet ndihma federale pasi zjarret shkatërruan qytetin turistik në ishullin Maui.

Autoritetet kanë paralajmëruar se do të duhen shumë vite për të riparuar dëmet e shkaktuara nga zjarret, pasi më shumë se 1000 ndërtesa janë shkatërruar vetëm në Lahaina.

Zjarret janë fatkeqësia natyrore më vdekjeprurëse që ka prekur Hawaii-n, që nga një cunami në vitin 1946, që shkaktoi vdekjen e më shumë se 150 njerëzve në ‘Big Island’.