Në lagjen “5 maji” ka përfunduar një tjetër pallat, i cili do të akomodojë 102 familje të tjera, kryesisht të prekura nga shpronësimet për projektin e rindërtimit nga tërmeti në këtë zonë.

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u shpreh se banorët do të hyjnë në apartamentet e reja përpara vitit të ri.
“Deri dje, bregu i lumit cilësohej pjesa më e prapambetur e Tiranës. Sot shikon si ka lulëzuar jeta në çdo ballkon. Parimi ka qenë të bëjmë vetëm nder dhe jo qeder; pra, të bëjmë vetëm punë të mira, pa i dhënë kosto askujt, as atyre që iu prish shtëpia nga tërmeti, as atyre që iu zhvillua prona për rindërtimin pas tërmetit. Edhe banorët, që i kanë pasur shtëpitë informale, këtu do të marrin një pronë shumë herë më dinjitoze, me parkim nëntokësor”, tha Veliaj.

Veliaj theksoi se lagjja “5 maji” do të vijojë të zhvillohet drejt njësisë 4.
“Më vjen mirë që, për rreth 200 familje të dëmtuara nga tërmeti, u është zgjidhur halli i shtëpisë dhe sot kanë një strehë shumë herë më dinjitoze mbi kokë. Për familjet që u dëmtuan dhe kanë marrë shtëpi ultra modern, besoj se vërtetë ka qenë një fat”.
Nëse ky projekt nuk do të bllokohej nga politika, sipas Veliajt puna me rindërtimin do të kishte përfunduar edhe në kombinat.
“Edhe në kombinat kanë mbaruar 10 godina dhe do të fillojmë me futjen e banorëve. Por, për të gjithë banorët e kombinatit, të cilët u vonuan prej partive politike, që për një ose dy vota spekulantësh mbanin peng një zhvillim të tërë, besoj se është një leksion i madh. Ja ku jemi edhe pas zgjedhjeve!”
Në të dy lagjet e rindërtuara do të transferohen disa ndërtesa publike si dhe disa institucione kulturore.