Skënder Minxhozi
Një takim deputetësh, ku më shumë rëndësi kishte pjesëmarrja sesa ato që u thanë aty, ka rikthyer debatin e brendshëm në PD për çështjen e lidershipit. Shumica e atyre që morën pjesë në takim shpejtuan të dalin nëpër studiot e debateve televizive, për të thënë pak a shumë të njëjtën frazë: Sali Berisha është një fuqi reale brenda opozitës dhe si e tillë ajo s’mund të injorohet. Për t’i dhënë fuqi argumentit, këta zotërinj krahasojnë 37 mijë votat për kandidatët kryebashkiakë që mori PD zyrtare në 14 maj, me gjysmë milioni votat që aleanca PD-PL mundi të sigurojë. Deri këtu nuk ka histori: Berisha e mund Lulin pa shumë mundim. Puna është a mund edhe Ramën?!
Ideja e fuqisë mitike që historikisht Sali Berisha ka ngulitur në trutë e përkrahësve të tij, lidhet me një kohë tjetër. Me atë kohë kur vërtet ish-kryetari i PD mbushte sheshet, sulmonte me armë pallatet e pushtetit dhe fitonte zgjedhjet edhe duke pasur më pak vota se socialistët. Kjo epokë tani ka marrë fund. Ka mbaruar de facto qysh në vitin 2013 kur Berisha dha dorëheqjen dhe u “varros” edhe de jure në 14 maj, kur Foltorja dhe Partia e Lirisë humbën Shkodrën, Tropojën dhe gjithë Verilindjen.
“Na duhen votat e Berishës, Luli nuk ka takat ta mundë Ramën”, thonë sot të gjithë ata që në 8 janar e pritën me hunj Doktorin tek selia e PD, ndërsa sot po marrin kthesën e radhës. E pse ju duhen vallë ato vota, mund t’i pyesë kushdo që ka lexuar tabelën e rezultateve të zgjedhjeve të fundit vendore. Për çfarë hyjnë në punë gjysëm milioni vota (që nuk janë pak natyrisht), nëse kundërshtari ka marrë thuajse 300 mijë vota më tepër se ty?! Deputetët që sot shkojnë e i ulen Doktorit në tavolinë nuk e pëlqejnë këtë logjikë të thjeshtë, e cila ka të bëjë në fakt me thelbin e egzistencës së një partie të madhe si PD. Nëse një forcë politike e përmasave të tilla nuk synon pushtetin, por qëndron rregullisht lart pragut të fitores mbi kundërshtarin, pse duhet vajtur pas lidershipit që nuk arrin të fitojë?!
Votat e Sali Berishës sot duhen vetëm për t’i bërë karshillëk Lulzim Bashës. Një tufë burrash që për nëntë vjet nuk folën fare, po “nxjerrin kunj” me Lulin, duke i kthyer mbrapsht inatin e akumuluar në një dekadë, kohë gjatë të cilës kanë ulur kokën para tij dhe s’kanë kundërshtuar asnjë herë teksa ai humbiste rregullisht përballë Ramës. Një tufë të frustruarish të Lulzim Bashës po i bëjnë fresk sot Berishës duke e mburrur për gjysmë milion vota në zgjedhjet e fundit, pa u shtyrë asfare që të shohin se me ato vota në pranverë u fitua vetëm Memaliaj dhe Fusharrëzi.
Fuqia politike e Sali Berishës është e barabartë me një opozitarizëm me “xhiro të kontrolluara”. Me dyzet apo pesëdhjetë deputetë nuk ke fituar asgjë, përveç një zëri opozitar përballë qeverisë. Basha mori në 25 prill 2021 plot 622 mijë vota dhe sërish opozita u zhyt në krizë. Në 14 maj Berisha dhe Meta morën vetëm 501 mijë vota dhe të dy bashkë flasin përditë për protesta masive dhe rrëzim iminent qeverie. Kjo vjen sepse rreshtimi pas Berishës, e gjitha kjo bashkësi zyrtarësh që po zbardhen në opozitë, ka të bëjë me aritmetikën e emocioneve dhe të nostalgjisë, jo me realitetin e sotëm shqiptar.
Sali Berisha ka mbaruar si alternativë pushteti. Ai mund të shërbejë vetëm si alternativë inati e frustrimi ndaj Bashës dhe ndaj qëndrimit te tejzgjatur në opozitë. Sa më shumë që korentet të cilat përbëjnë PD e sotme ta shtyjnë momentin e zgjidhjes së një lidershipi përtej Berishës dhe Bashës, aq më të lehtë do ta ketë mbretërimin Edi Rama, qoftë edhe me gjysmën e maxhorancës në burg! Berisha nuk është zgjidhja, por e shkuara e veshur me parzmore dhe heshtë prej Don Kishoti.