Temat e parimeve të lirisë së medias kundrejt transmetimeve të përmbajtjeve të dëmshme audiovizive, edukimi mediatik dhe përfaqësimi gjinor në mjedisin mediatik janë trajtuar në ditën e dytë të punimeve të Asamblesë së 22-të Plenare të Rrjetit Mesdhetar të Autoriteteve Rregullatore MNRA, që u mbajt në Tiranë, me organizator Autoritetin e Mediave Audiovizive, AMA. Punimet kanë nisur me panelin e përbërë nga Ana Cristina Ruelas, përfaqësuese e UNESCO-s, Monica Duran Ruiz, Spanjë, Frederic Bokobza, Francë, dhe Josip Popovac i entit rregullator Kroat.
Znj. Ana Cristina Ruelas, Specialiste e Lartë Programi në UNESCO, paraqiti Udhëzimet e UNESCO-s mbi mbrojtjen dhe promovimin e lirisë së shprehjes, aksesit në informacion dhe sigurisë së gazetarëve. “Ne nuk mund t’ua lëmë kompanive private t’a zgjidhin vetë këtë çështje ekzistenciale, ka thënë Ruelas. “Synimi ynë si UNESCO është të përcaktojmë kolektivisht parimet dhe proceset e moderimit të përmbajtjes, duke respektuar të drejtat e njeriut, e në veçanti lirinë e shprehjes”. Udhëzimet e UNESCO-s janë krijuar për të informuar mbi proceset e menaxhimit të përmbajtjes audiovizive në platformat digjitale, ashtu edhe për proceset e qeverisjes, që tashmë janë duke u zbatuar në fusha të tjera, që kanë ndikim në ushtrimin e lirisë së shprehjes dhe aksesit në informacion, në përputhje me ndryshimet që ka sjelle mjedisi digjital. Mediat gjithashtu mund të përfitojnë nga këto Udhëzime në përpjekjen e tyre të vazhdueshme për pasqyrimin e saktë të programeve.
Z. Josip Popovac dhe znj. Monica Duran Ruiz diskutuan mbi mënyrat sesi mund të përdoren Udhëzimet e UNESCO-s për të ndërtuar rrjete komunikimi dhe bashkëpunimi më të gjera mes rregullatorëve të MNRA-së dhe ndanë eksperiencën e tyre në zbatimin në praktikë të Udhëzimeve gjatë veprimtarisë si rregullatorë.
Ndërsa dy folëset e grupeve të punës znj. Joanna Spiteri dhe znj. Monica Duran Ruiz, ndanë prezantime shumë interesante mbi nivelin e pranisë dhe përfaqësimit të grave në emisionet e përditshme të lajmeve, si dhe programet sportive. Kërkimi i tyre synonte të parashtronte nëse gjinia është një faktor kushtëzues përsa i përket përfaqësimit në media, në raport me grupet shoqërore dhe diversitetin. Diskutimet nxorrën si përfundim që rritja e nivelit të dukshmërisë së grave në media është thelbësore për të ndërtuar dhe publikuar modele publike që kontribuojnë në mbylljen e hendekut gjinor.
Z. Jeton Mehmeti, Kryetar i KPM Kosovë, paraqiti një aspekt të detajuar të veprimtarisë së rregullatorit KPM në nxitjen e edukimit mediatik të publikut, në kontekstin lokal, ndërsa prof. Georges Pleios, expert i autoritetit rregullator grek, përmbylli diskutimet e ditës së dytë të asamblesë, me një prezantim mbi përmbajtjet audiovizive që mund të konsiderohen të ndaluara, nën lupën e zhvillimeve të fundit globale dhe teknologjike.