Qeveria italiane synon të ndajë nga 100 deri në 150 milionë euro për të krijuar një fond të ri për të mbështetur gratë në gjashtë muajt e parë të jetës së fëmijës, jo nga distanca, por direkt në shtëpi. Profesioni i asistentes së nënës do ‘të lindë’ ligjërisht në vitin 2024, falë një këtij investimi. Asistentja, do të ketë për detyrë të shoqërojë nënat e reja në gjashtë muajt e parë të jetës së fëmijës, që njihet dhe si periudha më stresuese për prindërit. Ndihma do të konsistojë jo vetëm nga telefoni ose videocall, por edhe me mbështetje direkte në shtëpi.
Propozimi do të kalojë për diskutim në Këshillin e Ministrave para se të miratohet. Asistentja e nënës do t’u përgjigjet shumë pyetjeve të vogla që mund të paraqesin probleme të mëdha për nënat, duke kufizuar kështu rrezikun e sindromës pas lindjes.
Ky profesion njihet tashmë në Francë dhe në vendet nordike ku u vu re se në “rrjetin” e prindërimit, tradita e gjysheve, hallave, motrave më të mëdha që zakonisht jepnin këshilla praktike për menaxhimin e fëmijës po humbiste me kalimin e kohës, për shkak të distancave të largëta mes qyteteve apo dhe ritmit stresues të punës.
Tashmë është asistentja e nënës që të mëson sesi ta mbështjellës me pelena të voglin, si ta mbash kur i bën banjo, çfarë të bësh kur e ngacmon lemza apo kur nuk pushon së qari.
Si do të funksionojë shërbimi
Detyra e asistentet së nënës është të plotësojë ato dyshime që zakonisht i drejtohen pediatrit, duke shmangur kështu vizitat e panevojshme. Sidoqoftë, nuk do të jetë një profesionist i kujdesit shëndetësor si një mami, infermiere ose punonjëse e kujdesit për fëmijët, pasi nuk kërkohet asnjë diplomë për t’u bërë një i tillë.
I vetmi detyrim për kandidatët e ardhshëm do të jetë të përfundojnë një kurs që zgjat gjashtë ose nëntë muaj.