Shqipëria është futur në ethet e fundit të sfidës së vlefshme për kualifikueset e EURO 2024, atë kundër Republikës Çeke në Pragë, takim që do të luhet më 7 shtator.
Një përballje sa delikate, po aq edhe e rëndësishme për vetë objektivat e “kuqezinjëve”, të cilët momentalisht renditen në vendin e dytë me 6 pikë pas dy fitoreve ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faore që zbehen disfatën ndaj Polonisë në premierë. Diferenca në renditje është vetëm një pikë, pasi Çekia kryeson me shtatë pikë, ndërsa mbrëmja e 7 shtatorit do të jetë përcaktuese për të dyja skuadrat, por edhe për vetë grupin E.

Por, kush është Çekia dhe si vjen ajo në këtë përballje ndaj Shqipërisë?

Pas shpërbërjes së Çekosllovakisë, Çekia nuk ka munguar në asnjë Europian, ndërsa tani kërkon prezencën e tetë radhazi në Europian, madje në edicionin e vitit 1996 ishte finaliste, ndërsa pas tetë vitesh, në EURO 2004 u ndal në fazën gjysmëfinale.

Pavarësisht brezave, Çekia ka arritur të ruajë deri diku traditën, pasi në 4 edicionet e fundit të Europianit, në dy prej tyre ka arritur deri në çerekfinale, madje për herë të fundit në EURO 2020. Skuadra e Silhavy-t, trajner i cili është ulur në stolin e kombëtares në shtatorin e vitit 2018 ka krijuar një profil për t’u respektuar, ndërsa të dyja përfaqësueset janë vendosur vetëm një herë përballë njëra-tjetrës në historinë e tyre, në ndeshjen miqësore të 8 qershorit të vitit 2021, me çekët të cilët triumfuan 3-1 ndaj Shqipërisë që drejtohej nga trajneri Edy Reja në atë kohë. Por, nisur nga ajo sfidë shumë gjëra kanë ndryshuar, si për Shqipërinë ashtu edhe për Çekinë, ndërsa dy nga tre golashënuesit e atij takimi mungojnë për vendasit, si Patrik Schick dhe Ondrej Celustka.

Trajneri Silhavy ka një bilanc pozitiv sa i përket ndeshjeve të luajtura në shtëpi për llogari të kualifikueseve të Europianit, me 5 fitore, por në rrugëtimin e tij prej 53 ndeshjesh në total, ai ka njohur 20 humbje deri më tani. Sa i përket ndeshjeve kualifikuese, Çekia është një skuadër që provon të gjejë rrugën e rrjetës shumë shpejt dhe nëse trajneri 61-vjeçar krenohet me statistikat është për faktin se skuadra e tij ka kaluar në avantazh brenda 20 minutave të para në katër raste. Çekia prezantohet me një ecuri shumë të mirë në këtë vit, pasi në katër ndeshjet e para ka marrë tre fitore dhe një barazim, duke lënë pas vitin e errët 2022, ku mori vetëm një fitore.

Në 10 ndeshjet e fundit të luajtura në shtëpi, vetëm Portugalia ka arritur të fitojë në tokën çeke, tre sfida janë mbyllur në barazim, ndërsa 6 ndeshje janë mbyllur me fitoren e skuadrës së Silhavy-t dhe nga nëntori i vitit 2018, me përjashtim të disfatës 0-4 ndaj Portugalisë, Çekia ka shënuar gjithmonë në shtëpi. Për ndeshjen e 7 shtatorit, Çekia do të prezantohet me disa ndryshime në grumbullim, me një ndërthurje të elementëve të rinj dhe atyre me eksperiencë, ku spikasin emrat si Vladimir Coufal dhe Soucek. Lojtari që vjen më në formë për trajnerin Silhavy është 26-vjeçari Jan Kuchta, i cili ka kontribuuar në 17 gola në 28 ndeshjet e tij të fundit, përfshirë këtu ndeshjen me përfaqësuesen, por edhe me klubin e tij, Spartën e Pragës.

Statistikat janë të rëndësishme, por jo domosdoshmërisht përcaktuese dhe mbrëmjen e 7 shtatorit “Fortuna Arena” pritet të dhurojë një sfidë shumë të luftuar, aty ku Shqipëria do të provojë gjithçka për gjithçka, e mbi të gjitha pritet të gjejë mbështetjen e shumë tifozëve “kuqezi”, ndërsa në këtë përballje, “Shqiponjat” e Sylvinho-s do të luajnë edhe për një rekord historik, pasi Shqipëria do të kërkojë fitoren e tretë radhazi në kualifikueset e Europianit, diçka e cila deri më tani nuk ka ndodhur kurrë më parë.