Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) informoi sot publikun se nuk ka nisur asnjë shkresë drejt përfituesve për kthimin e fondeve të Programit IPARD II.

Në një njoftim për shtyp, AZHBR reagoi pas disa lajmeve në medie të ndryshme vizive dhe të shkruara, për kërkesën e kthimit të fondeve nga përfituesit e programit IPARD.

AZHBR bëri të ditur se “në zbatim të Marrëveshjes Kuadër, Marrëveshjes Sektoriale, Programit IPARD II të miratuar, si dhe në zbatim të manualeve të brendshme të funksionimit të saj, u dërgon shkresa njoftuese periodikisht (çdo 6-12 muaj) subjekteve përfituese, për t’i rikujtuar zbatimin e detyrimeve kontraktuale që rrjedhin nga kontrata e grantit me AZHBR”.

Sipas AZHBR-së, kjo është një procedure standarde e cila i shërben përfituesve të programit dhe garantimit të funksionalitetit të investimit deri në 5 vite pas pagesës përfundimtare.

“Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, nuk ka nisur shkresa njoftuese për kthimin e fondeve drejt përfituesve të programit IPARD II, në rast se këto subjekte nuk kanë shkelur dispozitat kontraktuale, apo nuk janë shpallur debitore nga AZHBR”, thuhet në njoftim.

AZHBR fton mediet e interesuara që të kërkojnë informacion të plotë dhe shterues pranë AZHBR për çështje të tilla të ndjeshme që kanë të bëjnë me informimin e publikut dhe jo të dezinformojnë atë.

“Për çdo kërkesë mbetemi në dispozicionin tuaj duke ju garantuar informacion të plotë dhe transparent”, thuhet në njoftimin për shtyp të AZHBR-së.