Ministri i Brendshëm, Taulant Balla deklaron se javën e ardhshme do të zhvillohet në Tiranë një takim i ministrave të brendshëm të vendeve pjesëmarrëse në Procesin e Berlinit, takim i cili paraprin Samitin e Tiranës.

Përmes një postimi në rrjetet sociale ministri Balla deklaron se gjatë takimit të zhvilluar sot me Ambasadorin Luigi Soreca të Ngarkuarin me Punë ad interim në Tiranë, ka nënvizuar se kryefjalë e diskutimeve ka qenë bashkëpunimi me BE në çështje që lidhen me sigurinë, migracionin, apo luftën kundër krimit të organizuar.
“Javën e ardhshme mirëpresim në Tiranë ministrat e brendshëm të vendeve pjesëmarrëse në Procesin e Berlinit. Takimi i Ministrave të Brendshëm paraprin Samitin e Tiranës dhe synon thellimin e bashkëpunimit, integrimit rajonal dhe pëshpejtimin integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Europian.

Me Ambasadorin Luigi Soreca, të Ngarkuarin me Punë ad interim, i saporikthyer në Tiranë, diskutuam edhe për bashkëpunimin e ngushtë me BE në çështje që lidhen me sigurinë, migracionin, luftën kundër krimit të organizuar si dhe mbështetjen e nevojshme në kuadër të programeve IPA”, shkruan Balla.