Nga Mero Baze/
Rezultati i Kukësit, është një kambanë alarmi për opozitën shqiptare dhe gjithë ata elementë të saj që mendojnë se bashkimi me Berishën i bën më të fortë. E provoi në fillim bashkimi i Berishës me Metën. Bashkimi i dy partive, dha më pak vota se sa kanë pas ndarazi të dyja partitë. Edhe tani bashkëngjitja e deputetëve të opozitës me në krye Gazmend Bardhin, me Berishën, e bëri dhe më të vogël opozitën. Dhe kjo do të ndodhë vazhdimisht dhe në të ardhmen. Kjo, pasi opozita nuk është aritmetikë, por është frymë.
Berisha është faktori me valencë më negative në historinë e politikës shqiptare. Çdo faktor tjetër që i bashkohet atij shumëzohet me një numër negativ dhe zvogëlohet, nuk rritet. Ndaj zgjidhja nuk është që të bashkohen rreth Berishës e të shpëtojnë Berishën nga halli i tij. Zgjidhja është të bashkohen jashtë Berishës, ose nëse nuk e bëjnë dot, të krijojnë opozitën pluraliste, dhe të bashkohen në një koalicion, por përsëri pa Berishën. Identifikimi me Berishën është shkatërrimtar për opozitën dhe frymën e saj, pasi çdo betejë me të në krye, nis me mosbesimin e thellë tek fitorja.
Nuk kanë faj kandidatët e opozitës. Nuk them dot që ky kandidati socialist i Kukësit ishte yll i rënë nga qielli dhe Emri Vata një djall. Jo, djalë shumë i mirë është dhe ai se e njoh. Dhe në kushte normale mund të fitonte. Problemi është se ai dhe çdo opozitar që konkurron me siglën e Berishës, e nis nga minusi garën, jo për faj të tij, por për faj të Berishës. Ata e nisin fushatën me hallet e Shkëlzenit që ka zaptuar bregdetin shqiptar dhe ka varrosur 26 vetë për të vjedhur, hallet e Argitës që ka zaptuar klubin “Partizani”, hallet e Saliut që s’ka lënë gjë pa bërë dhe pastaj duhet t’u premtojnë njerëzve të ardhme?! Po pse budallenj i dini njerëzit ju?
Berisha u përpoq ta maskojë disa herë këtë problem që nga 6 marsi, 14 maji, Rrogozhina biss dhe tani Kukësi biss, por e ka të pamundur. Ai është identifikuar si virusi shkatërrimtar i shpresës për fitore të opozitës dhe nuk e lë më opozitën të ngrejë kokë. Tërheqja e Lulzim Bashës më 14 maj dhe më pas në Rrogozhinë dhe Kukës për t’ia lënë fushën bosh, edhe pse është një taktikë tmerrësisht e dëmshme për PD, është nga ana tjetër një fakt i tmerrshëm se si Berisha, nuk ja del dot dhe sikur ta lësh të bëjë ç’të dojë në opozitë.
Nëse opozita ka ndërmend ndonjëherë të ngrejë kokë në këtë vend, duhet t’i ulë kokën Sali Berishës dhe ta çojë në shtëpi. E di që ju duket si këshillë armiku, por në fakt çdo armik, do t’u këshillonte të kundërtën, të bëjnë atë që po bëjnë, të mbajnë Berishën. Se ai në fund të fundit i duhet çdo armiku të opozitës në këtë vend, si një koleteral i paçmuar, i cili ta sjell fitoren dhe aty ku nuk e meriton, siç ishte rasti i Kukësit. Dhe lërini këto fyerjet dhe sharjet për popullin, që “nuk e kuptoka që duhet të fitojë Berisha”. Populli nuk është i gjithi budalla, si ata që shkojnë pas Berishës.
Gënjeshtrat e Berishës dhe autosugjestioni i bandës së tij, nuk funksion në popull. Të gjitha ato që ju përmendni si arsye që nuk duhet votuar qeveria, janë të vërteta, që duhet t’u bëjnë të mendoheni dy herë, përse njerëzit pranojnë të keqen më të vogël dhe janë gati t’i vënë shkelmin në fyt Sali Berishës. Dhe pse opozitarët nuk e kanë guximin që kanë shqiptarët kundër Berishës. Ndaj në raste të tilla kur nuk gjen dot arsye tek humbja, nuk fajësohet populli. Në raste të tilla ndërrohet lideri, nuk ndërrohet populli.