Një nga dy bujtinat në fshatin Gur i Bardhë i përket një profesori informatike. Avni Hysa ka jetuar për disa vite në Britani dhe më pas vendosi të rikthehej te rrënjët për të drejtuar një bujtinë. Ai thotë për “Histori Shqiptare” në Tv Klan se ngacmimi i parë ishte përzgjedhja e Gurit të Bardhë si një ndër 100 fshatrat me potencial dhe besoi fort te ky i fundit.
Avni Hysa: Unë vendosa të vij në torjet e mia. Kjo ishte trashëguar nga të parët e babait tim, nga babai im dhe tani është në emrin tim, trashëguar tek unë. Vendosa të bëj këtë bujtinë.
Alma Çupi: Po ku e pate garancinë ti që në Gurin e Bardhë do të vinin turistë?
Avni Hysa: Kjo është një pyetje 1-milionëshe kur i thonë.
Alma Çupi: S’ka gjë, m’i jep mua.
Avni Hysa: Të them të drejtën, unë jam nisur thjesht me potencialin që ka Guri i Bardhë dhe me idenë se një ditë Rruga e arbrit do të krijojë një akses shumë më afër me Gurin e Bardhë, Tirana do të jetë shumë më afër. Duke parë se Tirana është një potencial për të gjithë Shqipërinë, jo vetëm për…pastaj turistët e huaj kuptohet, me idenë që kisha krijuar nga jashtë, me idenë se çfarë duan të huajt, mendova që të vij këtu dhe të ndërtoj këtë bujtinë.
Alma Çupi: Ka funksionuar?
Avni Hysa: Në plan-biznesin tim ka funksionuar shumë mirë. Nga ana financiare, duke parë kostot e shpenzimit do shumë për të bërë. Kuptohet, është biznes i ri, duke folur me gjuhën e biznesit është në nivele shumë të mira./tvklan.al