Nesër bota do kthejë sytë nga takimi Putin- Erdogan në shpresën që Rusia ti bashkohet sërish marrëveshjes së drithit të Detit të Zi që Moska ndërpreu në korrik. Turqia po mban rolin e ndërmjetësit, por nuk dihet se çfarë rezultatesh do të japë ky takim.
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka planifikuar të takojë ketë të hënë Vladimir Putin, duke shpresuar të bindë liderin rus që t’i bashkohet sërish marrëveshjes së drithit të Detit të Zi që Moska e ndërpreu në korrik. Takimi, që do të zhvillohet në Soçi në bregun jugor të Rusisë, vjen pas javësh spekulimesh se kur dhe ku mund të takohen të dy udhëheqësit. Erdogan më parë tha se Putin do të udhëtonte në Turqi në gusht.
Pse Rusia u largua nga marrëveshja e grurit?
Kremlini refuzoi të rinovojë marrëveshjen e grurit rreth gjashtë javë më parë. Marrëveshja – e ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara dhe Turqia në korrik 2022 – kishte lejuar afro 33 milionë tonë drithë dhe mallra të tjera të largoheshin në mënyrë të sigurt nga tre porte të Ukrainës, pavarësisht pushtimit nga Rusia. Megjithatë, Rusia u tërhoq pasi pretendoi se një marrëveshje paralele që premtonte për të hequr pengesat ndaj eksporteve ruse të ushqimit dhe plehrave nuk ishte respektuar. Ajo u ankua gjithashtu se kufizimet në transportin dhe sigurimet penguan tregtinë e saj bujqësore, edhe pse ajo ka dërguar sasi rekord gruri që nga viti i kaluar.
Pse është Turqia një ndërmjetës?
Që kur Putini u tërhoq nga nisma, Erdogan është zotuar vazhdimisht të rinovojë marrëveshjet që ndihmuan në shmangien e një krize ushqimore në pjesë të Afrikës, Lindjes së Mesme dhe Azisë. Ukraina dhe Rusia janë furnizuesit kryesorë të grurit, elbit, vajit të lulediellit dhe mallrave të tjera në të cilat mbështeten vendet në zhvillim. Erdogan ka mbajtur lidhje të ngushta me Putinin gjatë luftës 18-mujore në Ukrainë . Turqia nuk i është bashkuar sanksioneve perëndimore kundër Rusisë pas pushtimit të saj, duke u shfaqur si një partner kryesor tregtar dhe qendër logjistike për tregtinë e Rusisë jashtë shtetit. Anëtari i NATO-s, Turqia, megjithatë, ka mbështetur gjithashtu Ukrainën, duke dërguar armë, duke takuar presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy dhe duke mbështetur kërkesën e Kievit për t’u bashkuar me aleancën.
Cilat janë kërkesat e Rusisë?
Samiti i Soçit pason bisedimet midis ministrave të jashtëm rus dhe turk të enjten, gjatë të cilave Rusia dorëzoi një listë veprimesh që Perëndimi do të duhej të ndërmerrte që eksportet e Ukrainës në Detin e Zi të rifillonin. Çmimet e grurit në SHBA u rritën të premten, një ditë pasi ministri i jashtëm rus Sergej Lavrov tha se Moska nuk shihte asnjë shenjë se do të merrte garancitë e nevojshme për të ringjallur marrëveshjen e grurit. Erdogan në korrik tha se Putini kishte “pritje të caktuara nga vendet perëndimore” mbi marrëveshjen dhe se ishte “e rëndësishme që këto vende të ndërmarrin veprime në këtë drejtim”. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres kohët e fundit i dërgoi Lavrov “propozime konkrete” që synojnë të çojnë eksportet ruse në tregjet globale dhe të lejojnë rifillimin e nismës së Detit të Zi. Por Lavrov tha se Moska nuk ishte e kënaqur me letrën.