Analisti Frrok Çupi ka paralajmëruar se tani ka ardhur momentin kur do të shohim drejtësinë më të madhe në vend.

I ftuar në “News Line”, ai u shpreh se kryeministri Edi Rama hodhi poshtë mitin se po të jesh në pushtet, nuk ndëshkohesh.

Sipas Çupit, Përëndimi e ka përkëdhelur dhe privilegjuar vendin tonë përpara botës, por ndërkohë e ka vendosur përpara një përgjegjësie shumë të madhe për t’u kthyer qytetarisë dhe drejtësisë. Ai ka theksuar se kjo është thirrja për të cilën po fliste edhe Rama në momentin e një qeverie të re.

“SPAK nuk është thjesht SPAK, drejtësia në Shqipëri është bërë gati për të vënë në vend maksimumin. Nëse e vutë re, duke folur për Fatos Nanon, Edi Rama tha se atë e kishte burgosur ai regjim, ai njeri, i cili ende nuk ka paguar për atë që ka bërë. Ky është një detaj shumë i rëndësishëm, i cili në konceptin e drejtësisë do të thotë që përderisa ish presidenti i Republikës dhe ish kryeministri i Republikës është gati të paguajë, është bërë gati të shkojë në vendin ku paguhet drejtësia, do të thotë që të tjerët janë në varg pas tij. Ne kemi një qeveri të Berishës, e cila është e tëra në korrupsion dhe pritet të paraqitet e tëra në dyert e drejtësisë, sa për korrupsionin dhe për vjedhjet, edhe për krimet e tjera, për zhdukje të njerëzve në masë siç ishte Gërdeci.

Jemi një vend që realisht ndodhemi në një moment shumë të rëndësishëm ndriçimi ose në një moment kur mund të groposemi për jetë. Përëndimi na ka përkëdhelur dhe na ka privilegjuar si komb, ose si Shqipëri dhe na ka vënë në pozita të tilla lavdëruese, përpara botës, por ndërkohë përpara një përgjegjësie shumë të madhe për t’u kthyer qytetarisë dhe drejtësisë. Kjo është thirrja për të cilën po fliste kryeministri në momentin e një qeverie të re. Për mua kjo nuk është një ribërje e qeverisë, por qeveria fiton një mandat të ri qeveritar shumë të vështirë”, tha ndër të tjera Çupi.