Kristjan Asllani ndez motorët për të luajtur titullar në Champions League. Mesfushori turk Hakan Calhanoglu është dëmtuar dhe nuk do të luajë në transfertën baske ndaj Real Sociedad, duke u hapur udhë aktivizimit të 22-vjeçarit shqiptar si titullar.
Lajmin e ka bërë të ditur klubi zikaltër nëpërmjet një komunikate, ku sqaron se futbollisti turk ka ndjerë një lodhje në aduktorë dhe nuk do të jetë në dispozicion të Inzaghit për transfertën spanjolle, e planifikuar për t’u zhvilluar të mërkurën në mbrëmje.
Mungesa e Calhanoglu u shtohet atyre të Cuadrados i dëmtuar dhe Sensit, që nuk është federuar në listën e Champions, megjithatë kjo nuk pritet të përbëjë një problem për Inzaghin, që ka në dispozicion shumë futbollistë. Duke iu referuar fjalëve të teknikut zikaltër ,se zëvendësuesi i Calhanoglu është Asllani dhe se beson shumë te ai, atëherë gjasat janë që të jetë pikërisht mesfushori i Kombëtares Shqiptare ai që do ta nisë nga minuta e parë sfidën ndaj Real Sociedad.