Derbi i “Madonnina” ndez futbollin italian, e gjithë vëmendja është në Milano, aty ku të shtunën përplasen dy ekipet kryesuese, dy ekipet më në formë, Inter-Milan. Ky është një derbi që pritet të luhet në sulm, ku zikaltërit kapen edhe një herë pas Lautaro Martinez, i kthyer në njeriun derbi. “Demi” tërbohet në çdo sfidë përballë Milanit pasi është njeriu më përcaktues i kësaj sfidë, këtë e vërtetojnë edhe shifrat. Nëse Lautaro shënon, Inter fiton, ky është një fakt. Kjo ka ndodhur 6 herë deri më tani, tre në kampionat, e fundit ishte fitorja 1-0 në shkurt.

Ylli argjentinas ka realizuar deri më tani 8 gola dhe ka dhuruar një asist në 14 ndeshje derbi. Nga këto Martinez ka fituar 9 derbi, ka humbur 3 dhe 2 kanë përfunduar në barazim. Vetëm dy lojtarë kanë bërë më mirë se sa Martinez në derbi, legjenda Giuseppe Meazza me 12 gola dhe Istyan Nyers me 11 gola. Lautaro është pa diskutim pika më e fortë e këtij Interi, këtë po e vërteton edhe këtë sezon duke bërë që Inzaghi të qëndrojë i qetë në lidhje me fazën sulmuese, dilema e tij e vetme thuajse në çdo ndeshje është kë do t’i vendos si partner në sulm.

Në derbin e së shtunës, Lautaro, por mbi të gjitha Inter është përpara një rekordi absolut. Nëse Inter arrin të mposht Milanin, ky do të ishte suksesi i pestë radhazi në të gjithë kompleticionet, do të ishte një rekord i ri në historinë e derbit të “Madonninas”.