Gjashtë persona të cilët u ekzekutuan më 11 shtator 2023 në një atentat mafioz në Greqi, janë shtetas turq. Së fundmi, sipas raportit të gazetës turke, Yeni Safak, 10 minuta para vrasjes, atyre u është dërguar një mesazh në celularin e tyre.

Sipas publikimit, në SMS thuhej: “Pozicioni yt është zbuluar, dil menjëherë nga shtëpia, do të të vrasin”.

Siç pretendon gazeta turke Yeni Safak, 6 turqit në momentin e marrjes së SMS, kanë vendosur të largohen nga shtëpia të cilën e kishin marrë me qira në Lutsa, duke mos ditur se disa kilometra më poshtë do t’u zënë pritë, raporton Protothema.gr.

Ditën e djeshme, mediat turke publikuan emrat dhe fotot e tyre. Sipas publikimit, emrat e tyre janë: Doruk Ersu Büyüktunç, Abdurrahman Tekrü, Ömer Kanza, Ozan Kaan Tozlu, Barış Çağan dhe Burak Tahmaz. Gazeta turke ka postuar një foto në Tik Tok ku shihen 6 personat e ekzekutuar, duke lënë edhe një mbishkrim “ne hakmerremi”.

Sipas raportimit të djeshëm të medias greke, në celularët e 6 viktimave janë gjetur mesazhe të shkruara në gjuhën turke, ku policia po analizon përmbajtjen e tyre për të përcaktuar se me kë po bisedonin dhe nëse dikush i kishte njoftuar ata se ishin vënë në shënjestër të një organizate kriminale ku mendohet se mund të kenë qenë grupe rivale.

Automjeti me të cilin ata udhëtonin ishte me targa gjermane false dhe i përket një shtetasi rumun, i cili u’a kishte dhënë viktimave. Hetimet po vijojnë me ritme të pandërprera dhe sistematike për identifikimin, gjetjen dhe kapjen e autorëve.