I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka deklaruar se po përgatiten për t’u takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 14 shtator në Bruksel.

Përmes një postimi në Facebook, Lajçak ka zbuluar fokusin e bisedave të tij me Kurtin e Vuçiçin gjatë kësaj jave.

Me Kurtin ai është takuar në Bled të Sllovenisë këtë javë, ndërsa me Vuçiçin është takuar në Beograd.

Në takimin me Kurtin, i dërguari i BE-së ka ngritur shqetësimin rreth situatës në veri të Kosovës dhe gjetjen e një gjuhe të përbashkët për të zgjidhur mosmarrëveshjet mes dy vendeve.

“Në Bled, unë kisha takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Ne biseduam për përgatitjet për takimin e radhës të nivelit të lartë në shtator, me përqendrim te normalizimi i marrëdhënieve dhe zbatimi i deklaratës së BE-së të 3 qershorit. Po ashtu kam ngritur shqetësimin rreth situatës në veri të Kosovës”, ka shkruar Lajçak.

Gjatë takimit me dy liderët, Miroslav Lajçak u ka kujtuar dy shteteve se marrëveshjet e dialogut janë të vlefshme dhe duhet zbatuar plotësisht dhe pa vonesa.

“Nga Bledi, udhëtova në Beograd, ku u takova me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Kemi biseduar në detaje për përpjekjet për ulje të tensioneve dhe mbajtje të zgjedhjeve të reja në veri të Kosovës, si dhe zbatimin e gjitha marrëveshjeve të dialogut. Ua kam kujtuar të dy liderëve se gjitha marrëveshjet e dialogut mbesin valide dhe detyruese për të dyja palët dhe duhet zbatuar plotësisht dhe pa kushte apo vonesa. Diskutimet tona do të vazhdojnë dhe po bëhemi gati për takimin e liderëve në Bruksel më 14 shtator për një rund të ri të dialogut të nivelit të lartë”, ka shkruar Lajçak.