Kjo e diel do të shënojë ditën e parë të vjeshtës, ku temperaturat do të shkojnë në vlerat normale të stinës ndërsa do të regjistrohen edhe reshjet e para të shiut për muajin shtator. Deri të shtunën, edhe pse do të jemi në ndikimin e vranësirave, temperaturat do të vazhdojnë të qëndrojnë mbi 30 gradë celsius në të gjithë qytetet, ku në disa prej tyre vlera do të shkojë edhe në 35.
Por nëse mendoni se koha për plazh mori fund, e keni gabim. Tetori do të hyjë sërish me temperatura mbi vlerën normale, duke shkuar deri në 29 gradë. Për këdo që ende nuk i thotë dot mirupafshim bregdetit, mund të shfrytëzojnë 10-ditëshin e parë për pushime. Sipas sinoptikanëve, vjeshta e vërtetë do të ndihet në muajin nëntor.